Çela, Byzhyti dhe Sefa, jashtë listës së Lushnjës
Presidenti Fatos Tushe i ka thirrur tre futbollistët lushnjarë dhe u ka komunikuar vendimin se nuk janë në planet e drejtuesve dhe të stafit teknik
Skuadra e Lushnjës nuk do të ketë në gjirin e saj disa nga futbollistët e sezonit të shkuar. Edhe pse kanë pranuar të sakrifikojnë për skuadrën e qytetit të tyre, duke u kthyer për të luajtur me fanellën verdhejeshile, pavarësisht se mund të përfitonin më shumë ekonomikisht, disa prej futbollistëve më në zë lushnjarë nuk janë në planet e presidencës dhe stafit teknik.
Kreu i bashkisë, Fatos Tushe, njëkohësisht president i klubit të futbollit, në listën e përgatitur në lidhje me futbollistët, me të cilët do të bisedojë për kontratat e reja, nuk ka përfshirë kapitenin Gentian Çela, mesfushorin Alban Byzhyti dhe sulmuesin Fatjon Sefa.
Janë futbollistë me peshë dhe me shumë përvojë edhe me skuadra të Superligës, por që drejtuesit kanë vendosur të mos i përfshijnë në kontigjentin e sezonit të ti.
Tre futbollistët janë thirrur nga presidenti Fatos Tushe, i cili u ka komunikuar vendimin e marrë. Nga ana tjetër ,skuadra është në ditët e para dhe stërvitja ka qenë fakultative, në mungesë të të gjithë futbollistëve të sezonit të ri. Ditët në vijim pritet të fillojë stërvitja e vërtetë.
Trajneri Sajmir Malko, së bashku me ndihmësin e tij të ri, Blerim Hasallën, po punojnë me grupin e futbollistëve që kanë në dispozicion për ta konsoliduar skuadrën, ndërkohë që ende nuk janë shpallur objektivat nga drejtuesit e klubit.
Më herët, në përfundim të sezonit që shkoi, nga ana e presidentit Fatos Tushe ishte premtuar një analizë e thellë, ku do të merrnin pjesë të gjithë aktorët futbollistikë, por, mesa duket, ajo është lënë në hije.
Mungesa e disa prej titullarëve në listë, si dhe mungesa e ndihmësit të sezonit të shkuar të Malkos, Dritan Çukos, do të thotë se vendimet janë marrë për sezonin e ri, ku nuk do të mungojë mbështetja financiare e bashkisë. Pritet që në ditët ne vijim të shpallen dhe objektivat e skuadrës së sezonit të ardhshëm.
