Partizani shton radhët me Mahon dhe Bletën, merkatoja në letër
Të kuqtë vijojnë me përgatitjet nga Liqeni, ku dje grupit i janë bashkuar edhe dy lojtarë nga sezon i fundit Maho dhe Bleta, merkatoja ende në letër, pritet Xhani
Që nga e hëna e 2 korrikut Partizani mendohet se zyrtarisht ka nisur punën për sezonin e ri. Në këtë rast thuhet mendohet, pasi puna ka nisur nën drejtimin e aksionarit Paro Laçi dhe gjithçka mbetet në pritje të mendimit të aksionarit me përqindjet më të mëdha në shoqëri, Albert Xhani.
Puna ka nisur me ndryshime në kupolën drejtuese, pasi në postin e trajnerit aksionari Laçi ka emëruar Nikolin Çoçllin. Nëse të hënën stafi ishte i plotë, në dy ditët në vijim kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi të martën i pranishëm ka qenë vetëm trajneri Çoçlli pa ndihmësit e tij, Marko Pelinxhi dhe Ylli Shehu.
E njëjta pamje ka qenë edhe dje, por në mungesë të dyshes Shehu-Pelinxhi, në ambjetet ku përgatitej Partizani ka qenë edhe trajneri Perlat Musta, i cili të hënën deklaroi distancimin për impenjime të tjera.
Por dje Musta ka qenë pranë të kuqve ku gjatë pjesës më të madhe ka qëndruar në një lokal pranë nën shoqërinë e aksionarit Paro Laçi. Në dallim nga e hëna, e mërkura e ka pasuruar më shumë grupin e lojtarëve që drejton trajneri Çoçlli.
Sulmuesi Rezart Maho dhe lojtari xhol Ergin Bleta dje i janë bashkuar të kuqve, ku edhe kanë kryer seancën stërvitore. Maho dhe Bleta bëjnë pjesë në grupin e futbollistëve të ruajtur nga sezoni i fundit.
Merkato Për momentin trajneri Nikolin Çoçlli po merret me grupin e lojtarëve, që kanë mbetur nga sezoni i fundit, ku Partiznai ishte pjesë e Kategorisë së Dytë. Por sipas premtimeve të aksionarit Paro Laçi, Partizani do të jetë aktiv në merkato, madje priten prurje të shumta, sepse synohet një ekip për tu ngjitur në superligë.
Për momentin merkatoja e të kuqve është në letër, madje aksionari Paro Laçi, i cili për momentin ka marrë gjithë peshën e punës, ka nisur bisedimet me lojtarë të ndryshëm.
Ka plot emra që kanë dalë në qarkullim gjatë këtyre ditëve, por ende nuk është bë gjë konkrete. Padyshim që dëshira është e madhe për të veshur fanellën e kuqe, por për momentin ngërçi mbetet tek garancia financiare.
Gjatë prezantimit të së hënës aksionari Laçi premtoi se te Partizani ka marrë fund puna vullnetare, sepse me këtë metodë nuk mund të synohet ngjitja në superligë.
Por siç thotë populli: Nga e thënë në të bërë është në mes një det i tërë. Shpresohet që për të kuqtë e kryeqytetit ky det të thahet sa më shpejt dhe pas pesë vitesh të shikohet një Partizan i vërtetë, ekipi i cili të japë shenjat e ringritjes reale.
Albert Xhani Se çfarë do të ndodhë me Partizanin e këtij sezoni pritet të mësohet vetëm pas ardhjes së Albert Xhanit nga Greqia. Mendohet që sapo Xhani të mbërrijë në kryeqytet do të ketë një takim mes aksionarëve, ku përpos divergjencave që kanë me njëri – tjetrin, shpresohet që të vendoset një urë bashkimi në të mirë të së ardhmes së Partizanit.
Ndonëse nuk mund të flitet me siguri, momenti duket shpresëdhënës, kjo edhe për vetë qetësinë që vjen nga Albert Xhani, sepse në të shkuarën pas çdo veprimi të një ortaku, kishim një kundërveprim të ortakut tjetër.
Laçi është shprehur se është për bashkim dhe bashkëpunim dhe shpresohet që kjo që të bëhet realitet, se duke pasur një Partizan të bashkuar, mund të pretendohet rikthimi në ditët e lavdishme.
