Dalipi: Te Tërbuni luan vetëm ai që e meriton
Trajneri i pukjanëve, Edmond Dalipi, flet për testet që janë bërë deri tani dhe për merkaton, pasi priten të tjera afrime brenda kësaj jave
Edmond Dalipi do të jetë sezonin e ri në krye të skuadrës pukjane, që merr pjesë në Kategorinë e Parë. Me eksperiencën që ka 5 vitet e fundit si pjesë e stafit të Skraparit, ndihmëstrajner apo trajneri i parë, ai shpreson ti udhëheqë pukjanët drejt majave të Kategorisë së Parë.
Me një skuadër të përgatitur dhe me mbështetje të konsiderueshme financiare nga presidenti Petrit Syla, trajneri Dalipi thekson se suksesi nuk duhet të mungojë. Për Sportin shqiptar ai tregon për punën që po bën me skuadrën dhe për ambicjet e sezonit të ri.
Kemi 3 ditë që kemi nisur punën për të ndërtuar një skuadër dinjitoze për sezonin e ardhshëm. Në stërvitje kanë ardhur shumë lojtarë për t’u stërvitur, por nuk është e thënë që të qëndrojnë të gjithë, sepse Tërbuni ka objektiva të qarta.
Nuk do të jemi kalimtarë, por do të bëjmë një kampionat dinjitoz, edhe pse do të ketë shumë rivalitet. Motoja jonë do të jetë punë dhe përkushtim në stërvitje për të shkuar te suksesi. Në skuadër do të jetë dera e hapur për të gjithë ata lojtarë, të cilët e ndiejnë veten të aftë të veshin fanellën e Tërbunit.
Stërvitja aktualisht ka karakter aerobik, ndërsa në fundjavë mund të ketë edhe një ndeshje testuese, ku do të duken edhe vlerat e secilit pre lojtarëve që kanë ardhur për t’u provuar. Besoj se do të ndërtojmë një Tërbun, që ti kënaqë të gjithë, – u shpreh trajneri Dalipi.
Merkato Bashkë me presidentin Petrit Syla, jemi në bisedime me disa lojtarë të njohur, madje disa kanë luajtur edhe në Superligë. Por, kurrë nuk do të ketë vend për lojtarë që luajnë, duke u nisur nga emri. Ata që do të djersijnë më shumë, do ta meritojnë vendin në formacion.
Klubi do të ketë edhe një rregullore të brendshme, që do t’ua bëjmë të qartë lojtarëve ditën që do të nisë faza përgatitore. Tërbuni i sezonit të ardhshëm do të funksionojë si skuadër dhe klub profesionist”, – tha në fund trajneri i pukjanëve, Edmond Dalipi.