Morina vetofrohet: Jam i gatshëm të luaj me Shqipërinë
Ramadan Morina është me formën e tij po plotëson kapitullin e futbollistëve shqiptarë që po shkëlqejnë në futbollin zviceran. Djaloshi nga Gjilani i lindur në vitin 1993, po jep qindra arsye të besohet se Kosova mund të prodhojë talente dhe futboll cilësor. Dhe këtë po e bën në pesë vitet e fundit edhe Morina. Duke luajtur për FC Zurich, ai i ka ndihmuar klubit të vet të ngjitet jo një herë në majat e suksesit, fitues të turneut ndërkombëtar “FIFA YOUTH CUP 2012″ (U21), kampionë të Zvicrës dhe vendin e dytë në kampionatin për kupë (U18), dhe vendin e dytë në kampionatin e shtetit helvetik (U16). Rama luan futboll nga mosha dhjetëvjeçare. Prindërit e tij kishin besuar me të drejtë se ka trashëguar talentin e dajës së tij, veteranit të futbollit, Muharrem Sahiti. Hapat e parë seriozë në futboll i bën në FC Rappersëil-Jona, prej ku më pas transferohet në FC Zurich dhe mbetet aty prej pesë vitesh, për ti sjellë klubit çdo vit nga një sukses. Njohës të futbollit zviceran vlerësojnë se ai i premton shumë futbollit jo vetëm në Zvicër, por dhe në Kosovë e Shqipëri. Në një prononcim për Zhurnal.mk Morina pohon se është i gatshëm të luaj si me Shqipërinë dhe Kosovën. Jam i gatshëm të luaj për kombëtaret tona, qoftë për Shqipërinë apo për Kosovën, nëse do të pranohej ne UEFA. Nuk do të doja të bëj dallimin mes Shqipërisë e Kosovës, ndaj dhe do të shkoja atje ku nevojitem më së shumti, – thotë sulmuesi Ramdan Morina Pavarësisht planeve të së ardhmes, Morina , i njohur si Rama në Zvicër, shton se do të bëjë përpjekje nga më të paparat, që të prezantojë sa më mirë shqiptarët në futbollin zviceran.
