E Hënë, 2 Nëntor 2026

Andi Gurabardhi, peng katër fëmijët e tij

19/02/2005  ELBASAN – Rrethohet në banesën e tij, Andi Gurabardhi, vrasësi i policit Florenc Balla. Në përvjetorin e parë të ditëlindjes së djalit të tij të vetëm, pas tri vajzave, Gurabardhi rishfaqet aq problematik, sa edhe në qershor të vitit 2003. Nga banesa e tij, sërish i armatosur, ai ka mundur të marrë peng dy policë, të cilët i ka lënë të lirë, në këmbim të bashkëshortes dhe djalit të tij 1-vjeçar, që ndodhehsin në duart e uniformave blu. I dënuari me burgim të përjetshëm nuk ka pranuar deri në orët e vona të natës së kaluar të dorëzohet, ndërsa ka kërcënuar me armë përsëri për të vrarë policët e shumtë që e mbanin të rrethuar.

Ditëlindja e djalit

Djali i Andi Gurabardhit, i vetmi pas katër vajzave, në përvjetorin e ditëlindjes së parë të tij, detyroi babain që të shkëputej nga jeta në arrati e të gjendej që prej ditës së enjte pranë familjes.

Por informacioni se Andi Gurabardhi ishte “bërë i gjallë”, në shtëpi me sa duket tepër i saktë mbërriti edhe në veshin e policisë, së bashku edhe me koordinatat dhe drejtimet e lëvizjes e vendndodhjes së Gurabardhit.

Organizimi i policisë

Menjëherë pas kësaj, pasdreken e djeshme, plani i policisë në letër u shtri në terren. Menjëherë u “kreh” zona. Drejtuesit më të lartë të policisë së Elbasanit, në krye të të cilëve ishte edhe kryepolici Arben Joca, agjentë kriminalë, policë të rendit dhe të qarkullimit, antiterrori dhe të gjithë efektivat, u vunë në shërbim të kapjes së Gurabardhit, që në orën 13.00 të ditës së djeshme. Më vonë, nga Tirana mbërritën edhe forcat speciale, në krye të të cilave ishte zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Dashamir Kaja.

Sinjali i parë

Sinjali i parë për vendndodhjen e Andi Gurabardhit u dha nga efektivat e policisë rrugore, e cila kishte vendosur postoblloqe në të gjitha akset rrugore dhe veçanërisht në akset Elbasan-Gramsh dhe Elbasan-Cërrik. Nga rrugorët ishin vënë nën survejim edhe segmentet rurale, nga të cilat mendohej se mund të kalonte Gurabardhi.

Ndërkohë pas lokalizimit të vendndodhjes nga policia rrugore, qindra efektiva të policisë së Elbasanit, të ndihmuara edhe nga specialet e Tiranës, nisën “lvizjen” drejt vendndodhjes së të kërkuarit në fshatin Bashës të komunës Shirgjan, rreth 8 km në perëndim të qytetit të Elbasanit.

Qendra e fshatit Shirgjan, fusha e Muriqanit si dhe zona e Bathësit, janë bërë objekt e një e krehje, e cila do të vazhdonte deri në afërsi të banesës së Gurabardhit

Dy policë peng në shtëpinë e Andit

Rreth orës 15.00, drejtuesit e aksionit vendosin të zhvillojnë një kontroll në banesën e Gurabardhit, ku ai ishte fshehur. Duke vazhduar kontrollet, dy efektiva të policisë, kanë mbërritur pa problem deri në brendësi të banesës së familjes Gurabardhi, në fshatin Bathës. Të dy, të pregatitur edhe për më të keqen, kanë hyrë në banesën e rrethuar, por aty ka përfunduar në një kurth që ishte ngritur nga protagonisti, i cili kishte mundur të vështronte shumë mirë terrenin nga çatia e shtëpisë. Gurabardhi, ishte fshehur në dhomën e sipërme, në tavanin e shtëpisë, prej nga kontrollonte gjithçka.

Menjëherë ai ka dalë nga “strofkulla” dhe nën presionin e kallashnikovit dhe një bombe të aktivizuar, i ka marrë peng ata.

Gurabardhi tenton të vrasë bashkëfshatarin polic

Vetëm pak çaste pas pengamrrjes së dy policëve, në shtëpi, tenton të hyjë një efektiv tjetër i policsë, bashkëfshatar i Gurabardhit. Menjëherë i kërkuari ka drejtuar armën në drejtim të tij, por në momentin e fundit ka ndërhyrë babai i tij, i cili duke i dalë para, nuk e ka lejuar të vrasë policin, bashkëfshatarin e tyre.

Shkëmbimi i pengjeve

Në rrethana ende të paqarta, bashkëshortja e tij, Albana dhe djali, ishin jashtë shtëpisë, në një prej automjeteve të policisë, ndërsa mbahej e rrethuar banesa e tij. Gurabardhi nën presionin e kallashnikovit drejtuar nga efektivat e policisë, ka kërkuar që në shkëmbim të bashkëshortes dhe djalit të lëshojë dy policët që ai i mbante peng. Ky kompromis është diskutuar edhe nga ana e policisë. Pas kërcënimit dhe “ofertës” së Gurabardhit, menjëherë nga policia është pranuar shkëmbimi. Ai u realizua pa mëdyshje. Ndërsa në shtëpi futet bashkëshortja dhe djali, prej andej dolën dy efektivat, të cilët bënë të ditur se, Gurabardhi mbante në dorë një bombë të aktivizuar dhe kallashnikovin të mbushur.

Pritja e policisë

Orët e mbrëmjes së djeshme, deri vonë, që pas rënies së errësirës nuk sollën ndonjë zhvillim të ri. Policia përforcoi rrethimin, duke afruar në vendin e ngjarjes edhe dy autoblinda, ndërsa ndriçoi vendin me projektorë të fuqishëm, pas lënies në errësirë të shtëpisë nga vetë Andi.

Forcat speciale kanë mbërritur deri në oborrin e shtëpisë, ndërsa snajperët janë pregatitur për të vepruar në çdo moment. Gjatë gjithë kohës nuk kanë reshtur edhe tentativat për negociata.

Ora 13.00

Mbërrin sinjali i parë i vendndodhejs së Andi Gurabardhit në banesën e tij.

Ora 14.00

Policia nis krehjen e të gjithë zonës së Shirgjanit, Muriqanit Kuqanit, si dhe fshatit Bathës, ku banon Gurabardhi

Ora 15.00

Drejtuesit e aksionit vendosin të zhvillojnë një kontroll në banesën e Gurabardhit, ku merren peng dy policë. I rrethuari tenton të vrasë edhe një polic, bashkëfshatari i tij

Ora 16.00

Gurabardhi negocion për lënien të lirë të bashkëshortes dhe djalit, që ndodheshin në duart e policisë, në këmbim të lirimit të dy policëve që ai i mbante peng

Ora 17.00

Bëhet shkëmbimi i pengjeve. Policia lë bashkëshorten e tij dhe djalin, ndërsa dy policët peng rikthehen te shokët

Ora 18.00

Pas kësaj ore ka vazhduar mbajtja e rrethuar e banesës së Andi Gurabardhit

Vrau në 1997 një grua dhe policin në 2003

Andi Gurabardhi, autor i dy vrasjeve

Andi Gurabardhi, është skeduar nga policia si autor i dy vrasjeve.

Vrasjen e parë, ai e ka bërë më 6 shtator 1997. Atëherë, Andi Gurabardhi, i fejuar me një vajzë në fshatin Holtas, të rrethit të Gramshit, kishte shkuar të takonte të fejuarën e tij në familjen Roshi. Në orët e mbrëmjes, nga banesa e Bukurosh Kllogjerit, fqinj me të fejuarën e tij, ai me një armë mitraloz gjuan drejt bllokut të qershive. Gjatë kësaj kohe mes qershive kalonin dy vëllezërit Kllogjeri me një grua, e cila sapo kishte dalë nga spitali, pas lindjes së fëmijës. Gurie Kllogjeri, e cila ishte mbi një mushkë së bashku me fëmijën e sapolindur, është goditur nga një plumb i mitralozit dhe ka rënë e vdekur për tokë. Pas kësaj vrasjeje, për vite të tëra Andi Gurabardhi ishte një i kërkuar.

Për kapjen e tij, më 4 qershor 2003, policia rrethon banesën në fshatin Bathës, në rrethin e Elbasanit, dhe në përpjekje për arrestimin e Gurabardhit, shkëmben zjarr me të. Nga shkëmbimi i zjarrit, vritet polici Florenc Balla.

Kjo është edhe vrasja e dytë e Gurabardhit, i cili për mëse një viti, ndërsa është dënuar në mungesë me “burgim të përjetshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›