E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lojë me makinën e shefit, tre gardistët në pranga

19/02/2005  Mjeti i aksidentuar i zyrtarit të repartit 4040 të Farkës, objekt i rëndësisë së veçantë

TIRANË -Tre efektiva të Gardës së Republikës kanë përfunduar në prangat e policisë, pas një aksidenti me makinën e njërit prej krerëve të repartit ushtarak 4040 të helikopterëve, në Farkë. Loja nuk u ka kushtuar tre të rinjve vetëm arrestimin, por edhe masën maksimale të sigurisë nga Gjykata e Tiranës, e cila ka vendosur “arrest në burg” ndaj gardistëve. Një kërkesë e tillë është bërë nga Prokuroria Ushtarake e kryeqytetit, e cila e ka cilësuar makinën e dëmtuar të zyrtarit të repartit të helikopterëve, objekt të rëndësisë së veçantë. Ky repart kujdeset për lëvizjen e Presidentit dhe personaliteteve të larta të vendit. Duket se tre ushtarakwt e kanë parë mjetin luksoz si një mundësi me të cilën do të binin në sy nëpër rrugët e kryeqytetit, duke marrë kështu vendimin e guximshëm të bëjnë shëtitje me tw.

Loja

Mëngjesin e tetë ditëve më parë, tre gardistët kanë marrë makinën fuoristradë dhe kanë dalë në Tiranë. Sipas dëshmive të tyre, gjithçka ka qenë një tentativë për një shëtitje të shkurtër dhe më pas për t’u kthyer në repart. Teksa njëri prej gardistëve drejtonte makinën e shefit në afërsi të lagjes “Ali Demi”, në rrugën buzë unazës, gomat kanë filluar të rrëshqasin. Pak ujë kishte rrjedhur përgjatë asfaltit nga kanalizimet e plasura dhe njëra anë e rrugës ishte veshur me akull. Në shpejtësi e sipër, makina merr hov, del nga rruga dhe përfundon në lumin e Lanës, duke u dëmtuar. Tre efektivat e Gardës së Republikës kanë shpëtuar pa lëndime të rënda, ndërsa makina është dëmtuar në pjesët kryesore të saj.

Hetimi

Menjëherë reparti 4040 i helikopterëve në Farkë është njoftuar nga policia e Tiranës, se një makinë me targa që i përkisnin atij reparti, ishte aksidentuar dhe se tre gardistë ishin shoqëruar. Policia ka kryer hetimet e para dhe ka vërtetuar se, veç shpejtësisë, shkaku kryesor i aksidentit ka qenë rruga e ngrirë nga akulli. Materiali ka mbërritur në Prokurorinë Ushtarake, e cila ka filluar hetimet për ngjarjen. Hetuesit kanë filluar të verifikojnë rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, ndërsa kanë marrë në pyetje tre efektivat e Gardës. Ata kanë pohuar se nuk kanë patur ndonjë qëllim tjetër, veç shëtitjes së shkurtër, në fund të së cilës do të ktheheshin në repart.

Akuza

Për tri ditë me radhë, dosja penale në ngarkim të tre personave të shoqëruar në polici është mbajtur në organin e akuzës ushtarake. Ky institucion e ka cilësuar ngjarjen si “shkatërrim dhe prishje e objekteve të rëndësisë së veçantë”. Burimet nga organi hetimor, thanë se ky klasifikim ligjor është bërë nisur nga fakti se, reparti 4040 i helikopterëve në Farkë, kujdeset për detyra të rëndësisë së veçantë, siç është transportimi i personaliteteve të vendit, mbështetja e operacioneve të policisë, që paraqesin rrezikshmëri të lartë apo mbrojtja e institucioneve.

Dënimi

Me këtë akuzë, Prokuroria Ushtarake ka kërkuar nga Gjykata masën e sigurisë arrest me burg ndaj tre gardistëve, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjykata e ka pranuar kërkesën e organit hetimor, duke vendosur masën e arrestit ndaj tre gardistëve. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të detyrës dhe sekretit ushtarak, ndërsa, sipas organit të hetimit, ata janë në moshë të re. Prej tetë ditësh ata ndodhen në qelitë e paraburgimit, vetëm pasi një ditë i dhanë jetë ëndrrës për të shëtitur me “makinën e shefit”, në të cilën nuk kishin mundur të udhëtonin asnjëherë.

Moisiu, incidenti tjetër i gardistëve

Mbrëmjen e 24 janarit të këtij viti, gardistët që ruajnë jetën e Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, kanë rënë pre e një incidenti që provokoi gatishmërinë e tyre. Incidenti ndodhi me një makinë pranë vilës rezidenciale të kreut të shtetit, në afërsi të Pallatit të Brigadave në Tiranë. Rreth orës 18.20, një makinë tip “Benz Mercedes”, me targa TR 3055 K, ka kaluar postbllokun dhe është drejtuar te Vila nr.4, në të cilën banon Presidenti në zonën e Bllokut në kryeqytet. Pasi ka kaluar rrethimin e parë, makina ka mbetur e penguar në rrethimin e dytë të sigurisë pranë vilës. Menjëherë, atë natë, u mor masa e lirimit nga detyra për një oficer dhe dy nënoficerë të Gardës së Republikës, përgjegjës për ruajtjen e zonës ku banon kreu i shtetit shqiptar. Stafi i ngushtë i sigurisë së Presidentit është njoftuar menjëherë dhe policia ka kryer kontrollin e makinës, e cila kishte kryer incidentin. Disa prej njerëzve që morën në duar çështjen, fillimisht menduan se ngjarja mund të ishte një “atentat”, por tre të arrestuarit, dy djem dhe një vajzë, u thanë hetuesve të Prokurorisë Ushtarake se kishin qenë duke shkuar në Sauk dhe kishin ngatërruar rrugën, në përpjekje për t’u shmangur nga vonesat e trafikut. Dëshmia u përforcua nga kontrolli i automjetit në të cilin nuk u gjet asnjë send i dyshimtë. Kësaj here duket se gardistët kanë shpëtuar për fatin e tyre të mirë, ndërsa ndryshe e kanë pësuar tre gardistët e arrestuar tetë ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›