E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana në 2005, tetë vjedhje makinash në ditë

19/02/2005  Tetë automjete vidhen çdo ditë në Tiranë. Ky është numri i kallëzimeve që mbërrijnë ço ditë në Prokurorinë e Tiranës nga policia dhe nga qytetarë të ndryshëm, për vjedhjen e makinave. Pas vitit 2004, gjatë të cilit vepra penale e ndodhur më shpesh në Tiranë, ishte ajo e vjedhjes apo grabitjes së makinave, edhe këtë vit, në krye të listës qëndron ky krim. Burimet nga Prokuroria e Tiranës, thanë dje se prej muajit janar të këtij viti deri në 10-ditëshin e parë të muajit shkurt, çdo ditë janë bërë mesatarisht tetë kallëzime penale për vjedhje apo grabitje makinash. Sipas të gjitha rasteve të studiuara nga hetuesit e kryeqytetit, zonat në të cilat kryhet vjedhja më e madhe e makinave çdo ditë është ish-parku “Rinia” dhe zona rreth stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Pas rasteve të shpeshta të vjedhjes së makinave në këto dy zona, policia e kryeqytetit ka marrë masat e saj, por fluksi i makinave të vjedhura nuk ka ndryshuar. Të paktën tetë agjentë të policisë ruajnë çdo ditë në zonën e ish-parkut “Rinia” pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa një numër i tillë vëzhguesish është vendosur edhe pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Sipas statistikës së këtyre rasteve, makinat që janë në shënjestrën e grupeve që kryejnë vjedhjen e tyre, janë markat “Mercedes Benz”, “Volksvagen” dhe kohët e fundit edhe BMV. Sipas hetuesve, shumica e makinave që vidhen në Tiranë, në mënyrë të organizuar dërgohen në rrethe të ndryshme të vendit, ku shiten me gati gjysmën e çmimit, ose përdoren për pjesë këmbimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›