E Hënë, 2 Nëntor 2026

Haka, ai që vrau Taulant Muçën nuk është këtu

19/02/2005  TIRANË – Bujar Haka ka mbrojtur dje para gjykatës dy të pandehurit Dorian Stafa dhe Besnik Keta. Haka është polic i grupit të gatshëm në Komisariatin numër 1 dhe ka qenë i pranishëm në momentin e vrasjes së Muçës. Ai ka pranuar se sapo ka marrë sinjal nga zyra për një vrasje, ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka arritur të shohë autorin e vrasjes duke ikur me vrap. Së bashku me shokët e grupit i është vënë nga pas, por dje pohoi se asnjë prej të pandehurve nuk i ngjason autorit. Dëshmitari i tregoi gjykatës se kanë kapur personin dhe e kanë dërguar në polici, ndërkohë që vë në dyshim punën e kolegëve të tij më pas. Në këto kushte, Bujar Haka ka mbajtur të pandehurit Dorian Stafa dhe Besnik Keta, të akuzuar për vrasjen e Taulant Muçës, në 31 korrik 1998. Haka ka qenë në postbllok në momentin që u bë vrasja e Taulant Muçës, vëllait të Gazmend Muçës, në afërsi të Spitalit të fëmijëve. Në rrëfimin e tij tregoi se ka parë katër persona me një makinë "Audi". Policët kanë parë ditën e ngjarjes katër persona dhe vetëm njërin kanë arritur ta vënë në pranga në afërsi të Profarmës. "Ne ishim në postbllok. Dëgjuam krisma. Menjëherë u vumë në ndjekje të një makine, të cilës i bëmë shenjë për të ndaluar dhe iku me shpejtësi. Unë iu vura pas një personi. Arrita ta kap dhe t'i vë prangat. Kur e pyeta, më tha se ishte Dritan Meanga. Në fytyrë, Meanga ishte me gjak. E dërgova në polici dhe më pas me të janë marrë persona të tjerë. Nuk di se çfarë është bërë". Bujar Haka ka mohuar se në vendin e ngjarjes ka parë të pandehurit, ndërsa pohoi se i është vënë vetëm njërit nga pas. "Nuk i njoh të pandehurit dhe nuk i kam parë atë ditë", tha dëshmitari. Taulant Muça është vëllai i Gaz Muçës, kapo i bandës rivale me atë të Naim Zyberit. Në pranga për këtë vrasje janë vënë Besnik Keta dhe Dorian Stafa. Fillimisht pas vrasjes së Taulan Muçës, në korrik të '98, policia ra në gjurmët e një personi, i cili dyshohej të ishte autor i krimit. Bëhet fjalë për ish të pandehurin Dritan Meanga, që nga të dhënat mësohet se ka qenë në të njëjtin grup me Naim Zyberin dhe Franc Konomin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›