E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Andre Chenier” Opera e “Revolucionit francez” në TKOB

27/03/2009  Karakter sanguin, temperament i gjallë, por edhe stërhollime e plot rafinime muzikore – e thënë nga kritika më autoritare – e bëjnë “Andrea Chénier themel të verizmit, i pëlqyer dhe i duartrokitur në mënyrë unanime nga publiku. Gjithë opera rrotullohet mbi gjendjen shpirtërore dhe sjelljen e protagonistit kryesor, që në fakt, siç e ka dhënë autori, mund të konsiderohet jo Chenier, por Gérard.

Nuk është popullore për skenën shqiptare, megjithatë është një operë e veçantë dhe e pëlqyer nga publiku i gjerë. “Andre Chenier” është premiera e re operistike që pritet të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në muajin prill.

Subjekti, i muzikuar nga Giordano, merr shtysë nga vitet e fundit të jetës së poetit francez André Chénier, vargjet e të cilit frymëzoheshin nga poezia klasike dhe ideali elenistik, që gjatë periudhës së Terrorit u gijotinua, sepse denoncoi me guxim shfrenimet e Revolucionit, megjithëse ndante të njëjtat parime dhe ideale. Opera xhordane është një afresk i madh muzikor i një periudhe historike, asaj të Revolucionit Francez - tërheqës dhe i tmerrshëm, i mbushur me frymëzimin e lirisë e të barazisë, të cilin Napoleoni i pari dhe Kongresi i Vjenës më pas e zhdukën. Karakter sanguin, temperament i gjallë, por edhe stërhollime e plot rafinime muzikore – e thënë nga kritika më autoritare – e bëjnë “Andrea Chénier” themel të verizmit, i pëlqyer dhe i duartrokitur në mënyrë unanime nga publiku.

Me muzikë të Umberto Giordano, libret të Luigi Illica, skenografi të Alfredo Troisit dhe regji të Antonio Petres, orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe baletit do të vijë nën drejtimin e Edmond Dokos, ndërsa kori nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi. Në rolet kryesore do të interpretojnë Gianluca Zampieri, Ymer Kaca, Armaldo Kllogjeri, Irini Nikolla, Etleva Golemi etj.

Sipas dirigjentit Edmond Doko, është përgjegjësi e lartë realizimi dhe drejtimi i “Andrea Chenier”, një vepër sa e bukur aq dhe e komplikuar. “Më ka ndihmuar shumë fakti që kam drejtuar disa vepra të autorëve ‘veristë’, të cilët kanë afërsi stilistike, intonative etj. Kjo sfidë është përballuar me nivel dhe nga solistët tanë si dhe trupa e orkestrës, e cila me këtë vepër e ndiej që është dashuruar", - thekson Doko. Dhe në fakt kjo duket se vjen natyrshëm, pasi vetë vepra i këndon dashurisë sublime.

Gjithë opera rrotullohet mbi gjendjen shpirtërore dhe sjelljen e protagonistit kryesor, që në fakt, siç e ka dhënë autori, mund të konsiderohet jo Chenier, por Gérard.

Te Carlo Gérard spektatori zbulon tronditjen e një shpirti të drejtë e të ndershëm, të errësuar nga dëshira për hakmarrje, i detyruar nga vetë kushtet e rënda që të jetë i pamëshirshëm, meqenëse kërkon të arrijë qëllimet e tij. Por mbi të gjitha është personazhi i Madalenës, shoqja e lojërave të fëmijërisë të Gérard, kur mosha fëminore bënte të harroheshin për disa çaste nivelet sociale që i ndanin, shkaku kryesor i të ashtuquajturit “rebelim”: Madalena nuk është gjë tjetër veçse personifikimi i diversitetit dhe pabarazisë sociale. Andrea Chénier shfaqet një figurë heoirike dhe humane në të njëjtën kohë.

Muzikanti nga Foxhia, e kompozoi këtë opera, që zuri një hapësirë të pazëvendësueshme në historinë e melodramës, në një çast e të lumtur të aktivitetit të tij artistik. I mrekulluar nga historia franceze e shkruar nga Luigi Illica - Maestro ai e përfundoi operën në fillimin e vitit 1896 dhe e vuri me sukses të madh në skenën e “La Scala” të Milanos në 28 mars të të njëjtit vit me protagonist Giuseppe Borgati, tenor, një interpret i fuqishëm vagnerian. Opera do të jetë baza e suksesit të kompozitorit nga Foxhia dhe shpejt do të korrë sukses në gjithë botën.

Një tenor për Chenier

Parti i Chénier është shkruar për tenor. Duhet një tenor me timbër “heroik”, me zë të fuqishëm dhe me prezencë skenike të barabartë ose më mirë superior ndaj Gerardit; superior edhe sepse duhet të realizojë në çdo mënyrë të qenin i besueshëm, në një strukturë muzikore që e torturon pa pushim, duke i kërkuar frymëmarrje të gjerë dhe teknikë të lartë. Këtë vëren kritika për sa i përket anës interpretative të operës. Ndërsa vëren edhe se “përzierja e vargjeve me notat e dy autorëve të jashtëzakonshëm në këtë prezantim rezulton një shkëlqim i pastër i poezisë në muzikë”. Giordano demonstron një venë lumturie dhe frymëzimi në këtë operë, më të famshmen dhe më të shfaqurën e tij, së bashku me operën “Fedora”. E vetme dhe e papërsëritshme, opera e Giordanos rezulton të jetë mbërthyese dhe emocionuese edhe sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›