E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndëshkime shoferëve me xhama të zinj, verifikime për licenca të transportit publik

27/03/2009  Rrugorët e Tiranës, aksione të përditshme për normalizimin e qarkullimit

TIRANË- Problemet pafund në sistemin e qarkullimit rrugor duket se prej pak javësh kanë ardhur duke u zbutur, ndërsa zbatimi i ligjit është kthyer në lajtmotivin e punës së përditshme të efektivëve blu. Burime pranë komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet thanë për gazetën “Metropol” se aktualisht po zhvillohen operacione të shumta, të ndara në disa drejtime të veçanta, ku spikasin bllokimi i makinave që rezultojnë të vjedhura, gjobat për makinat me xhama të zinj apo siç quhen ndryshe të riveshura, gjobat për mbajtje të tabelave të uniformuara e fenelinave si dhe shkelje të tjera. Gjithashtu, në bashkëpunim me tatimorët, Policia Rrugore po kontrollon mjetet e shërbimit publik (furgonë, autobusë), të cilët nuk janë të pajisur me licencë. Më konkretisht rrugorët e Tiranës për një javë (nga data 9 deri në 16 mars) kanë vendosur 400 gjoba për shoferët që mbajnë makina me xhama të zinj apo të riveshur, teksa gjoba varion nga 5 deri në 15 mijë lekë, në varësi të vlerësimit të komisionit. Ndërkaq në të njëjtin hark kohor janë vendosur 12 gjoba për mbajtje të fenelinave si dhe 30 gjoba për drejtuesit me tabelë të uniformuar. Gjithçka është drejtuar nga kryepolici Ahmet Prençi, i cili në bazë të një urdhri u ka kërkuar krerëve të Policisë Rrugore të Tiranës që të koordinojnë punën dhe të stabilizojnë gjendjen e qarkullimit rrugor. Këtu nuk janë përmendur edhe qindra gjoba të tjera që përfshihen në përditshmërinë e punës së rrugorëve, të cilat konsistojnë në gjoba për drejtim mjeti në gjendje të dehur, për tejkalim të normave të shpejtësisë, mungesa e vënies së rripit, parakalim i gabuar, etj. Frytet e këtyre aksioneve të befasishme, të drejtuara nga eprorët e Policisë Rrugore të Tiranës duken qartë në situatën në rrugë, ku po punohet për moslejimin e bllokimit të rrugëve nga trafiku i tepërt dhe eliminimi i problematikës, ndonëse për hir të së vërtetës duhet përmendur fakti se vetë policët rrugorë përballen me situata nga më të vështirat, që në disa raste kanë degjeneruar deri në fyerje e dhunë nga shoferë të papërgjegjshëm. Ditët në vijim komisariati i Policisë Rrugore në Tiranë do të ndërmarrë një tjetër aksion, ku në shënjestër kësaj radhe do të jenë taksitë e palicencuara. Sakaq, rrugorët e kryeqytetit së fundmi janë përfshirë në një operacion ndërkombëtar për bllokimin e mjeteve që rezultojnë të vjedhura, ku koordinimi i veprimeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë zhvillimit të këtij aksioni u krye nga grupi i punës i ngritur në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit. Në kuadër të këtij operacioni nga strukturat e policisë së shtetit janë verifikuar rreth 2.655 automjete të llojeve e tipeve të ndryshme. Nga verifikimet e kryera përmes Interpolit kanë rezultuar të vjedhura jashtë shtetit 47 makina. Policia Rrugore e Tiranës bllokoi rreth 30 mjete të vjedhura. Policia Rrugore e kryeqytetit garanton qytetarët se nuk do të mungojë për asnjë çast shërbimi për të përmirësuar situatën në qarkullimin rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›