E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Receta jonë për të përballuar krizën

27/03/2009  Ministri deklaron se investimet e huaja direkte në 2008 ishin 600 milionë euro

Në maj nis punën Qendra e Licencimeve, ndërsa në 2010 Gjykata Administrative

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, shprehet optimist për situatën ekonomike në të cilën ndodhet ekonomia vendase. Në fjalën e tij, në seancën e Forumit të “Crans - Montana”- s theksoi se reformat që janë ndërmarrë kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të klimës së biznesit, ndërsa investimet e mëdha publike në infrastrukturë e kanë bërë vendin tërheqës për investitorët. “Nuk e di nëse “receta shqiptare” mund të “shërojë” vendet e tjera që janë në vështirësi, por për ne po funksionon. Ndoshta është koha që shembulli i Shqipërisë të studiohet si një “case study”. Ky do të jetë kontributi ynë modest kundrejt sfidave të ekonomisë së sotme botërore”, - theksoi ministri Ruli. Reformat që ka ndërmarrë qeveria gjatë këtyre viteve, sipas Rulit, bënë që Shqipëria të përballet me një ndikim minimal anësor. “Tre vjet më parë, ne nuk e dinim se ekonomia botërore do të përfshihej në një krizë të tillë që do të vinte në dyshim jo thjesht rendin ekonomik e politik global, por edhe disa arritje madhore historike të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. I tillë është sot debati mbi zgjerimin e mëtejshëm apo jo të BE-së, mbi nevojën për të shmangur proteksionizmin dhe roli që mund të luajë OBT-ja, mbi lidershipin e SHBA-ve në sistemin financiar botëror, mbi domosdoshmërinë e rishikimit të misionit të Bankës Botërore dhe të FMN-së”, - theksoi ministri. Zoti Ruli përmendi në fjalën e tij disa nga arritjet mes të cilave fakti që rritja ekonomike në vend për vitin 2008 të jetë afërsisht 8%, ndërsa inflacioni vjetor është 3.1%. “Fluksi i investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2008 ka shënuar një rritje prej rreth 60% kundrejt vitit 2007, duke arritur shifrën 600 milionë euro. Treguesi relativ i investimeve të huaja ndaj GDP-së është 6.3% për vitin 2007, nga 2.3% që ishte në vitin 2005. Tashmë Shqipëria është një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Që nga 1 janari 2008 tatimi mbi fitimin për kompanive është 10% nga 23% që ishte në vitin 2005, 10% është edhe taksimi mbi të ardhurat personale. Një arritje tjetër është ulja e barrës së kontributeve të sigurimeve shoqërore që nga 1 maji 2009 në masën 15%”, - nënvizoi Ruli. Sipas tij, në maj të këtij viti do të hapë dyert One-Stop-Shop për lejet dhe licencat, që do të reduktojë në minimum kohën për dhënien e tyre. Kjo reformë solli eliminimin e 2/3 të lejeve dhe licencave, ndërsa pjesa që ngelet u përqendrua në këtë institucion. Ministri Ruli informoi gjithashtu se brenda vitit 2010 do të ngrihet dhe do të funksionojë Gjykata Administrative për trajtimin në mënyrë të përshpejtuar të mosmarrëveshjeve të biznesit. Gjithashtu, sipas tij, gjatë këtij viti është implementuar sistemi i prokurimit elektronik dhe pagesat elektronike të taksave. Që nga 1 janari 2009, prokurimi elektronik është mjeti i vetëm i prokurimeve publik, sipas tij, ndërsa të gjitha taksat mund të paguhen elektronikisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›