Vujanoviç, mesazh urimi Topit: Anëtarësimi, njohja e politikave shtetërore
Presidenti Bamir Topi ka marrë urimet më të mira për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) nga presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Përmes një mesazhi, urimi presidenti Vujanoviç ka shprehur urimet më të sinqerta me rastin e hyrjes në NATO.
Ky anëtarësim është njohja e suksesit të madh të politikave shtetërore të Shqipërisë, dhe një mundësi për të afirmuar jo vetëm sigurinë por edhe vlerat ekonomike dhe politike të NATO-s.Në të njëjtën kohë, kjo është diçka inkurajuese për vendet në rajon që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, duke përfshirë dhe Malin e Zi, i cili e konsideron hyrjen në NATO si një interes strategjik, thuhet në mesazhin e urimit. Ndër të tjera, në këtë mesazh, veçohet kontributi i qartë dhe i vlefshëm presidentit Topi, në integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Nëpërmjet këtij urimi, presidenti Vujanoviç ka shprehur vullnetin e Malit të Zi për marrëdhënie më të afërta dhe bashkëpunim më intensiv midis dy vendeve, nëpërmjet mekanizmave të NATO dhe BE.