Avokati i Popullit, inspektim në burgje
Pritet përgatitja e një raporti për gjendjen e të dënuarve dhe paraburgosurve
Me atributet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Avokati i Popullit do të kryejë një inspektim në të gjitha burgjet dhe institucionet e paraburgimit në vend. Fillimisht do të jenë institucionet e vuajtjes së dënimit në Tiranë, që do të vëzhgohen nga ekspertët e Avokatit të Popullit.
Sipas ekspertëve të Avokatit të Popullit, qëllimi i këtij inspektimi, është këqyrja nga afër e problematikës që kanë burgjet shqiptare si dhe njohja me ankesat e çdo të dënuari. Objekt i këtij vëzhgimi janë edhe të drejtat e të dënuarve si dhe mënyra e trajtimit të tyre nga drejtuesit e secilit institucion të vuajtjes së dënimit.
Përfundimet e inspektimit të institucionit të Avokatit të Popullit do të përmblidhen në një raport të veçantë, i cili do të dërgohet dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Burime zyrtare nga Avokati i Popullit tregojnë së është N/Komiteti për Parandalimin e Torturës pranë OKB-së, që kërkon një informacion të detajuar për gjendjen e të dënuarve në burgje apo dhe në vendet e paraburgimit.
Është pikërisht ky organ që nxjerr përfundime për respektimin e të drejtave të të dënuarve në çdo shtet anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Institucionet e vuajtjes së dënimit janë bërë shpesh objekt i kritikave nga Avokati i Popullit, sidomos për kushtet e jetesës së të dënuarve.
Për këtë, vetëm një javë më parë, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, kërkoi mbylljen e Burgut të Burrelit, me pretendimin e mos plotësimit të kushteve të jetesës nga ky institucion.