“Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë në NATO, rrit hapësirat e bashkëpunimit”

Deklaron Kryetari i parlamentit kroat, Luka Babiç, gjatë takimit në Athinë të kryeparlamentarëve për bashkëpunimin rajonal
TIRANE - Kryetari i parlamentit kroat, Luka Babiç, ka thënë se hapësirat për bashkëpunim midis vendit të tij dhe Shqipërisë, janë rritur pas anëtarësimit të dy shteteve ballkanike në NATO.
Këto deklarime kryeparlamentari kroat i bër gjatë takimit të kryeparlamentarëve të shtatë vendeve të rajonit të detit Adriatik dhe Jon në Athinë, ku u mblodhën për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ne theks në atë energjetik dhe në ndërtimin e autostradës që do të lidhë Kroacinë me Greqinë.
Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Athinë, përfaqësues të qeverisë e të politikës greke dhe emigrantë shqiptarë. Nga pala shqiptare, në takim merrte pjesë nënkryetari i parlamentit, Neritan Ceka.
“Është e sigurt se anëtarësimi i Kroacisë dhe i Shqipërisë në NATO, është i mirëpritur për zhvillimin e marrëdhënieve të mira e miqësore ndërmjet të dy vendeve, që mendojmë se në vitet e ardhme do të jenë edhe më të mira. Ne kemi mundësi bashkëpunimi në ruajtjen e mjedisit e të detit Adriatik, në ndërtimin e autostradës Adriatik Jon, në menaxhimin e kapaciteteve energjetike. Sa i përket iniciativës Adriatik-Jon, jam i sigurt se do të ndihmojë zhvillimin e bashkëpunimit në një sërë fushash, si në mbrojtjen e mjedisit, përdorimin e potencialeve energjetike dhe veçanërisht të burimeve të rigjenerueshme të energjisë”, tha kryetari i parlamentit të Kroacisë, Luka Babiç.
Iniciativa Adriatik-Jon u themelua në vitin 2000, si një kuadër bashkëpunimi dhe konsultimi i vendeve pjesëmarrëse, në fushat e ekonomisë, turizmit, transporteve, mbrojtjes së mjedisit, arsimit, kulturës, si dhe luftimit të krimit të organizuar.
Vendet anëtare janë Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.
Ndërkaq në Athinë, ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kroacisë dhanë një pritje me rastin e anëtarësimit të vendeve të tyre në NATO.