Shqipëri - Rumani, intensifikim i marrëdhënieve politiko-ekonomike
Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri Viorel Stanila
TIRANE - Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha priti dje në takim Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Rumanisë ne Shqipëri, Viorel Stanila, me rastin e fillimit të detyrës. Duke i uruar mirëseardhjen dhe suksese në misionin e tij në Shqipëri, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy qeverive, si dhe marrëdhëniet shumë të mira tradicionale e miqësore midis popullit shqiptar dhe atij rumun.
Kryeministri Berisha i shprehu Ambasadorit Stanila angazhimin e qeverise shqiptare për t’i forcuar edhe me tej këto marrëdhënie në të ardhmen. Ambasadori Stanila e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore. Ambasadori Stanila e vlerësoi këtë takim tejet të veçantë, referuar faktit se tashmë Shqipëria, është një anëtare me të me të drejta të plota në NATO.
Ambasadori Stanila i shprehu urimet më të ngrohta Kryeministrit Berisha, duke vlerësuar lart kontributin personal të Kryeministrit për këtë arritje historike për Shqipërinë e shqiptarët. Referuar misionit të tij në vendin tonë, Ambasadori Stanila i shprehu Kryeministrit Berisha angazhimin e tij të plotë si përfaqësues i Rumanisë në Shqipëri për të kontribuar në forcimin më tej të marrëdhënie miqësore midis dy popujve, si edhe marrëdhëniet shumë të mira midis qeverive të të dy vendeve. Intensifikimi i mëtejshëm i shkëmbimeve politike në nivelet më të larta, si edhe zgjerimi e thellimi i marrëdhënieve ekonomike dhe në fusha të tjera, ishin në fokus të bisedimeve mes dy personaliteteve.
Kryeministri Berisha i kërkoi Ambasadorit Stanila intensifikimin e përpjekjeve për nxitjen e investitorëve rumunë për të investuar në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të lidhura me zhvillimet në rajon.