E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE-ja, pozitivisht e befasuar mbi arritjet ekonomike të Shqipërisë për vitin 2008

Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, qeveria shqiptare fillon raportimin mbi zbatimin e MSA-së, sipas strukturave të përcaktuara dypalëshe Shqipëri – BE

TIRANE - KE-ja është shprehur pozitivisht e befasuar mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2008, ruajtjen e këtij ritmi zhvillimi, ecurinë në sektorin e privatizimit si dhe përmirësimin e dukshëm të klimës së biznesit, krahasuar kjo dhe me vendet e tjera të rajonit.
Konsideratat e tyre përfaqësuesit e KE-së i shprehën në dy takimet që u zhvilluan në Bruksel në kuadrin e dy nënkomiteteve BE-Shqipëri, strukturë e re e ngritur me hyrjen në fuqi të MSA-së. Dy nënkomitetet e para ishin ai i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare, si dhe i Tregut të Brendshëm e konkurrencës. Në këto nënkomitete pala shqiptare kryesohej nga Zëvendësministri i Integrimit, Albert Gajo, ndërsa ajo komunitare nga drejtori i drejtorisë për çështjet ekonomiko-financiare pranë KE-së, Christoph Pavret de la Rocmefordiere.
Në këtë takim të pak ditëve më parë, pjesëmarrësit, përfaqësues të KE-së, mirëpritën treguesit e rritjes ekonomike të Shqipërisë, ndaj së cilës kishin treguar skepticizëm, nisur nga kriza e thellë ekonomike që ka mbërthyer Evropën dhe më gjerë.
Objekt i takimit ishin çështjet ekonomike dhe financiare (ECOFIN) si dhe të Tregut të  Brendshëm, me fokus angazhimet e marra nga qeveria shqiptare në kuadër të zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga MSA si dhe rekomandimeve të Progres Raportit Vjetor të Komisionit për Shqipërinë (2008).
Sipas informacionit të Ministrisë shqiptare të Integrimit, mësohet se çështjet konkrete që u trajtuan në këtë takim ishin: Zhvillimi i përgjithshëm ekonomik dhe perspektiva në Shqipëri, inflacioni dhe politika monetare; Sektori i jashtëm, bilanci i llogarive rrjedhëse (bilanci tregtar, remitancat), dhe llogaria financiare; Zhvillimet fiskale dhe perspektiva në Shqipëri; Marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare; Zhvillimi dhe reformat në sektorin financiar; dhe Ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore (në veçanti KESH). Planet e privatizimit për vitin 2009, gjendja aktuale e zbatimit, si dhe privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha shtetërore (ARMO, AMC, OSSH, ALBPETROL). Ndërmarrjet e vogla dhe të Mesme (SME-të).
Me hyrjen në fuqi të MSA-se në datën 1 prill 2009, Qeveria shqiptare ka detyrim të drejtpërdrejtë për të raportuar mbi zbatimin e MSA-së, sipas strukturave të përcaktuara dypalëshe Shqipëri – BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›