E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria amerikane i dhuron policisë kufitare shqiptare pajisje me vlerë 200 mijë dollarë

Në ceremoninë e dorëzimit, ambasadori John Withers

TIRANE - Punonjësit e policisë kufitare shqiptare kanë tashmë pajisjet e domosdoshme për zbulimin e armëve të shkatërrimit në masë, kalimit të paligjshëm të tyre apo trafikut të lëndëve narkotike, të cilat janë dhuruar dje nga qeveria amerikane në një ceremoni, ku ishte i pranishëm dhe Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers.
Pajisjet me vlerë 200 mijë dollarë janë vazhdim i mbështetjes së qeverisë amerikane ndaj policisë shqiptare, ndër të cilat veçohet sistemi “TIMS”, që vlerësohet si një aset tepër i rëndësishëm për Policinë e Shtetit përsa i takon menaxhimit të integruar të kufijve.
“Si pasojë e rritjes së ndërveprimit ekonomik, përparimit në fushën e informacionit, sot është më e lehtë se kurrë të transferosh materiale armësh të shkatërrimit në masë, deri në skajet më të larta të të globit, gjithashtu edhe më e vështirë është për të kontrolluar transferime të tilla”, tha Ambasadori Withers në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e drejtorisë së Përgjithshme të Policisë  së Shtetit.
Ai i cilësoi punonjësit e policisë kufitare apo nëpunësit e doganave si vija e parë e frontit kundër përhapjes së këtij rreziku.
“Sa më të trajnuar dhe të pajisur me mjete të nevojshme të jenë shërbimet e policisë, aq më mëdha janë edhe mundësitë për parandalimin e materialeve të paligjshme që mund të hyjnë në Shqipëri, apo të kalojnë transit nëpërmjet saj”, theksoi Ambasadori i SHBA-ve.
Diplomati amerikan vuri në dukje bashkëpunimin SHBA-Shqipëri, e shprehur sipas tij, “me programin e Departamentit të Shtetit Amerikan për kontrollin e kufijve dhe sigurinë në kufi (ICITAP)”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, siguroi se efektivat e policisë shqiptare do ta konvertojnë me punë ndihmën e deritanishme të qeverisë amerikane.
I pranishëm në këtë ceremoni, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Endri Pema, u shpreh se administrata që drejton po bën hapa të rëndësishme më drejtim të ruajtjes dhe sigurisë së kufijve.
“Një nga aspektet themelore, ku është fokusuar puna e punonjësve të doganës është menaxhimi i integruar i kufijve”, tha Pema, i cili vlerësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.
“Me Policinë e Shtetit kemi projekte lidhur me shkëmbimin e informacionit në rrugë elektronike”, informoi ai.
Administrata doganore në portin e Durrësit, tashmë disponon edhe skaner për kontrollin e kamionëve dhe sipas kreut të doganave, është duke u punuar për krijimin e një sistemi skanerësh, për një performancë gjithnjë në rritje të sigurisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›