Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Senati Amerikan i hap rrugën miratimit të protokollit
Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar një seancë dëgjimore mbi zgjerimin e NATO-s dhe mbi ratifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Për të relatur për këtë çështje kanë qenë të pranishëm në mbledhje ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Frid dhe zëvendësndihmëssekretari i Departamentit të Mbrojtjes, Dan Fata. Kryesuesi i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, senatori Riçard Lugar, e filloi fjalën e hapjes së seancës duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për vendimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ftuar Shqipërinë dhe Kroacinë të bëhen anëtare të plota të NATO-s. Më tej senatori Lugar theksoi se qeveria shqiptare dhe ajo kroate kanë bërë përpjekje të mëdha gjatë gjithë këtyre viteve, për të përgatitur këto vende për anëtarësim në NATO, duke ndërmarrë reforma të gjithanshme për konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë. Senatori Lugar vlerësoi se Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur një progres të madh në transformimin e forcave të armatosura dhe kontrollit civil të tyre, si dhe në arritjen e standardeve të ushtrive të NATO-s përsa i përket aftësisë operuese dhe bashkëvepruese. Senatori tërhoqi vëmendjen se Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të rëndësishëm në misionin e ISAF në Afganistan dhe në ndihmën që po i jepet qeverisë afgane për të luftuar terrorizmin, për vendosjen e rendit dhe demokracisë në vend. Gjithashtu senatori Lugar vlerësoi pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe nga shumica e vendeve europiane, si një hap të rëndësishëm që i jep fund një të shkuare tragjike të Ballkanit. Duke vlerësuar rëndësinë e zgjerimeve të mëparshme të NATO-s dhe kontributin e tyre për forcimin e sigurisë në rajonin e Europës Juglindore, senatori u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vihen në krye të fushatës promovuese për kurorëzimin e aspiratës për anëtarësim të plotë në NATO të Shqipërisë dhe të Kroacisë. Në seancë ndërhyri edhe ndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Frid, si përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit. Në prezantimin e tij përpara Komitetit, ndihmëssekretari Daniel Frid, ndër të tjera, theksoi se politika e zgjerimit të NATO-s ka qenë një nga sukseset më të mëdha pas rënies së Murit të Berlinit. Zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në Ballkan, së bashku me zgjerimin e Bashkimit Europian, do të japin të njëjtat rezultate pozitive që dhanë edhe zgjerimet e mëparshme në Europën Qendrore. Shqipëria dhe Kroacia, vlerësoi ndihmëssekretari Frid, kanë ndërmarrë dhe realizuar një sërë reformash të rëndësishme e të suksesshme, duke përmbushur dëshirën e qytetarëve të këtyre vendeve, që vendi i tyre të jetë anëtar i NATO-s. Frid vlerësoi progresin e madh që ka arritur qeveria shqiptare përsa u përket reformave për demokratizimin e mëtejshëm të vendit, por theksoi se është e rëndësishme që të përfundojë reforma elektorale dhe ajo në sistemin e drejtësisë. Në përfundim të fjalës së tij, ndihmëssekretari Frid kërkoi ratifikimin e shpejtë të protokolleve për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO.
Biberaj: “Nuk ka asnjë ngjashmëri ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut”
Kryetari i Delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, njëkohësisht zëvendëspresident i kësaj asambleje, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj ka theksuar në mbledhjen e Komitetit Politik të KE-së se “nuk ka asnjë lloj ngjashmërie ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut, pasi Kosova ka qenë dhe mbetet një rast unik që nuk mund të shërbejë dhe as të përdoret si precedent për asnjë lloj rasti tjetër”. Në debatin e zhvilluar në mbledhjen e Komitetit Politik, punimet e së cilës po zhvillohen në Paris, lidhur me situatën e krijuar pas konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, Biberaj ka kërkuar nga kolegët deputetë europianë t’i përmbahen rendit të ditës. Biberaj ka kundërshtuar gjithashtu komentet e bëra nga deputetët rusë dhe serbë për ngjashmëri ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut. Biberaj u ka kujtuar kolegëve europianë se çfarë ndodhi në Kosovë në vitin 1999, kur Sllobodan Milosheviçi dhe ushtria serbe filluan politikën e spastrimit etnik, duke vrarë rreth 15.000 kosovarë, duke përzënë rreth 1 milion, si dhe duke zhdukur me mijëra të tjerë, që nuk janë gjendur ende. Në përfundim, Biberaj ka theksuar se Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë dhe se tashmë është shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian.
12 Shtator 2008