E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Godo ktheu Gërdecin në Ministrinë e Shëndetësisë



Partia Demokristiane dënon mënyrën e drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë nga ministrja Anila Godo. “Ne vërejmë se ministrja Godo, pasi vlerësoi si sukses dhe renditi të gjitha reformat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë gjashtëmbëdhjetë muajve të qeverisjes së PDK-së në raportimin e saj për shtatëmujorin e qeverisjes, filloi një fushatë të egër spastrimesh në administratën e lartë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në institucionet e tjera kryesore shëndetësore, duke zëvendësuar njerëzit e reformës me njerëzit e Gerdecit, ose me individë të zgjedhur nga klubi i miqve dhe shokëve”, - është shprehur dje në një deklaratë për shtyp nënkryetarja e PDK-së, Aida Joanidhi. Ajo gjithashtu përmendi si rastin më të fundit flagrant zëvendësimin e drejtoreshës së Spitalit rajonal të Shkodrës, Alma Kurti, e vlerësuar në punën e saj edhe nga OSBE-ja, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, me kryetarin e PR-së së këtij qyteti. “Në poste të rëndësishme në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkaq janë emëruar individë të huazuar nga administrata e lartë e ish-ministrit Mediu, gjatë kohës që ai ishte ministër i Mbrojtjes, duke kthyer kështu administratën e Gërdecit në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne shprehim keqardhjen që ministrja Godo shkatërroi një nga reformat kryesore të ndërmarra në Ministrinë e Shëndetësisë, atë të drejtimit të spitaleve me menaxherë, çka ka qenë objektiv dhe orientim i kryeministrit Berisha”, - është shprehur Joanidhi.

Zgjedhjet në PD, Paloka nuk e mohon kandidimin

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i pyetur dje nga mediat për mundësinë e kandidimit të tij në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Tiranës, është shprehur në mënyrë indirekte se do ta pranojë një sfidë të tillë. Paloka është përmendur së fundi në radhët e grupit parlamentar të PD-së si një kandidaturë potente për të kandiduar për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Nga ana tjetër, për këtë post aktualisht është vetëm një kandidat zyrtar, dhe ai është ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Vetëm pak ditë më parë Mustafaj ka shpallur publikisht kandidaturën e tij për këtë post të rëndësishëm në partinë demokratike. Megjithatë, burimet nga PD-ja kanë bërë të ditur se aktualisht në tryezën e drejtuesve të lartë të PD-së janë duke u shqyrtuar disa emra të tjerë për këtë post. Burimet citojnë emrin e Gjergj Bojaxhiut, atë të Arben Imamit, si dhe emrin e Arben Xhikut. Megjithatë, pritet së pari të nisë fushata zgjedhore në mënyrë që të konkretizohen kandidaturat për këtë post.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›