E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Dhunimi i Kushtetutës, arsyeja që e refuzojmë koalicionin me PS-në”



Shaban Sulçe

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, konfirmon edhe një herë qëndrimin e LSI-së për të refuzuar idenë e Partisë Socialiste për formimin e një koalicioni të përbërë parazgjedhor në prag të zgjedhjeve të vitit 2009. Për Metën, dhunimi i Kushtetutës nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste konsiderohet një veprim i pafalshëm dhe në dëm të interesave të së majtës dhe të gjithë popullit shqiptar. Është kjo arsyeja, por edhe ambiciet dhe progresi i koalicionit “E majta për integrim”, që hedhin poshtë çdo mundësi konkurrimi në një koalicion midis LSI-së dhe PS-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Është qëndrim i qartë që nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me asnjë forcë politike që ka sulmuar dhe ka dhunuar Kushtetutën e Shqipërisë më 21 prill. Ne jemi të vendosur që, gjithashtu, të ecim përpara me krijimin e një koalicioni të ri, që e kemi shpallur në mënyrë të qartë, ‘E majta për integrim’”.
Surprizat
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se në koalicionin “E majta për integrim” pritet të bashkohen edhe shumë emra që përbëjnë potenciale në politikën shqiptare. Ai paralajmëroi surpriza për prurjet e reja që priten t’i bashkohen koalicionit “E majta për integrim”. “Them se nuk është detyra jonë të zgjedhim parti apo faktorë të ndryshëm politikë e socialë për të qenë në koalicion me ne, pasi ne tashmë kemi zgjedhur qartë qëndrimet tona më parimore, të cilat kanë të bëjnë që nga mbrojtja e Kushtetutës së dhunuar më 21 prill. Janë të tjerë ata që do të zgjedhin midis koalicionit tonë, koalicionit të Partisë Socialiste, apo koalicionit të Partisë Demokratike. Ne, dua t’ju siguroj, kemi plot aleatë potencialë, të cilët, jam i bindur, që në kohën e duhur do të bëhen dhe publikë”, - tha Meta, i cili shtoi se në zgjedhjet e ardhshme, koalicioni “E majta për integrim” do të garojë me bindjen dhe sigurinë për t’i fituar këto zgjedhje.
Kodi Zgjedhor
Kryetari i LSI-së ka folur gjithashtu dje edhe për çështjen e rëndësishme të hartimit të Kodit të ri Zgjedhor. Ai denoncoi edhe një herë politikën e faktit të kryer, të ndjekur nga lidershipët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. Meta dënoi gjithashtu përpjekjet për të zvarritur këtë proces të rëndësishëm, ndërsa deklaroi se këtë shqetësim ia kishte paraqitur përfaqësuesve të Komisionit Europian. “Për çështjen e Kodit Zgjedhor, sikurse edhe z. Xhufi e ka shprehur në emër të grupit tonë parlamentar, fakti që nuk e kemi në rendin e ditës, përgjatë këtyre javëve të para të Kuvendit, tregon se vazhdon politika e faktit të kryer, për fat të keq nga lidershipi i dy partive të vjetra, për të zvarritur këtë proces pafundësisht, në mënyrë që të dëmtohet sa më shumë cilësia e Kodi dhe e vetë zgjedhjeve, duke u përpjekur për t’i bërë gjërat në minutat e fundit dhe për t’i bërë fakt të kryer. Këto shqetësime unë ia kam ngritur edhe përfaqësuesve të Komisionit Europian dje, dhe shpresojmë që Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian të demonstrojë në javët që do vijnë një vëmendje shumë më të madhe ndaj zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, pasi ato janë shumë të rëndësishme, për të ecur më tej në procesin e integrimit europian apo për të mbetur në vend”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në emër të LSI-së ai shprehu shqetësimin për ecurinë e Kodit të Ri Zgjedhor, i cili, sipas Metës, po dëmtohet për t’i shërbyer interesave të ngushta të Berishës dhe të Ramës. Meta tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë shumë të rëndësishme, pasi ecuria dhe ndershmëria e tyre do të ndikojnë në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

G99-a: Vota e emigrantëve, opsion i mundur, pavarësisht çështjes së listave

G99-a deklaron se propozimi për mundësinë e votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme vazhdon të jetë një opsion i mundshëm për t’u realizuar, pavarësisht çështjes së listave. Tri ditë më parë, Partia Socialiste deklaroi se kishte rënë dakord në Komisionin e Reformës Zgjedhore për çështjen e listave, ku theksohej se votuesit do të votonin vetëm pranë qendrave të tyre të votimit, pra atje ku kanë gjendjen civile. Në plan të parë kjo pikë duket se përjashtonte mundësinë e garantimit të votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme, në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë. Por pavarësisht kësaj, G99-a, një prej forcave politike që ka propozuar, madje ka dorëzuar një projektligj në Kuvend në lidhje me këtë çështje, deklaron se vota e emigrantëve sërish vazhdon të mbetet një opsion i mundshëm. Argumentimin për këtë e jep, aktivisti i G99-s, Maklen Misha, i cili në një prononcim për gazetën “Albania”, sqaron: “Fakti se zgjedhësit do të votojnë vetëm aty ku kanë gjendjen civile, nuk përbën një ndryshim të Kodit Zgjedhor, pasi ky kusht është i pranishëm dhe në Kodin ekzistues. Edhe propozimi ynë përputhet plotësisht me këtë element, pasi ne propozojmë që votuesit e jashtëm, pavarësisht vendit ku jetojnë e punojnë, të votojnë për distriktet ku kanë gjendjen civile. Pra, n.q.s. një votues i jashtëm jeton në Milano apo në Selanik, por e ka gjendjen civile diku në Kukës, vota e tij do t’i alokohet distriktit ku ka gjendjen civile, pra Kukësit. Mendoj se konfuzioni vjen si pasojë e faktit se komunikimi me postë për të votuar do të kalojë përmes Komisionit Qendror për Votën e Jashtme (KQVJ), që propozojmë të krijohet pranë KQZ-së, pra do të administrohet në nivel qendror. Pra votat do t’u dërgohen këtyre votuesve nga KQVJ me anë të një shërbimi postar special, dhe ato do të mblidhen e numërohen po nga KQVJ. Por ama votat do të numërohen dhe do të alokohen në përputhje me distriktet ku votuesit e jashtëm kanë gjendjen civile”, - deklaroi Misha. Ai theksoi se G99-a ka bërë një kërkesë për dëgjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, në lidhje me çështjen e propozuar prej saj, që është vota e emigrantëve.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›