Anëtarësimi në BE, miratohen fondet për Shqipërinë
Komisioni Europian miratoi ndihmën financiare që do të jepet për Shqipërinë në kuadër të mbështetjes të paraanëtarësimit në fusha të caktuara ndërhyrjeje duke synuar përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE. Për periudhën 2009-2011 Shqipëria do të përfitojë në formë grantesh nga buxheti europian 269.4 milionë euro, ku pjesa më e madhe 237.9 milionë euro është “Ndihmë për tranzicionin dhe ngritjen e institucioneve”, kurse pjesa tjetër, 31.5 milionë euro, shkon për “Bashkëpunimin ndërkufitar”. Më specifikisht, sa i takon drejtimit të parë, fushat kryesore të ndërhyrjes në kuadër të kërkesave politike do të jenë reforma e administratës publike, reforma e Gjyqësorit dhe Policisë, lufta kundër korrupsionit. Po ashtu, janë parashikuar fonde për zhvillimin e medias, inkurajimin e përfshirjes shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve në nevojë, si edhe dialogun me shoqërinë civile. Këto financime synojnë ta ndihmojnë Shqipërinë të arrijë standardet e BE-së në fushat e tregut të brendshëm, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet bujqësisë dhe zhvillimit rural, zhvillimit rajonal, mjedisit, mbrojtjes së konsumatorit, transportit dhe energjisë. Pjesa e dytë e ndihmës që shkon për “Bashkëpunimin ndërkufitar”, do të merret me veprimtaritë ndërkufitare mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së si edhe me vende të tjera kandidate apo potencialisht kandidate. Financimi do të mbështesë veprimtari të tilla si: zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të zonave kufitare; adresimi i sfidave të përbashkëta, sidomos në fushat e mjedisit, shëndetit publik dhe zhvillimit; dhe inkurajimi i veprimtarive mes OJQ-ve dhe autoriteteve lokale. Po dje Komisioni Europian miratoi në mbledhjen e tij në Bruksel një paketë të përbashkët ndihme prej 85 milionë eurosh për disa vende të rajonit të Ballkanit. Mes vendeve përfituese është dhe Shqipëria. Bashkë me të janë Kroacia, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Turqia. Një paketë specifike ndihme prej 100 milionë eurosh i është akorduar Serbisë në kuadër të mbështetjes buxhetore për t’ia mundësuar këtij vendi që të vazhdojë reformat ekonomike gjatë recesionit. KE-ja tha se paratë do të ndihmojnë të ulin koston e lartë sociale të shkaktuar nga recesioni, i cili ka dobësuar buxhetin e Serbisë.
3 Gusht 2009