Mema: “Pa frikë në Europian”
Kombëtarja e Shqipërisë U-17 në futboll, në muajin shtator do të luajë kundër Hungarisë, Sllovakisë e Luksemburgut (grupi 11) për fazën e grupeve paraeliminatore të Kampionatit Europian U-17, për sezonin 2009-2010 (takimet do të zhvillohen nga data 25-30 shtator në Hungari). Shqipëria është një nga 52 përfaqësueset europianë që marrin pjesë në këto eliminatore të ndara në 13 grupe me nga katër skuadra. Dy skuadrat e vendeve të para të çdo grupi, plus dy vendet e treta më të mira të grupeve do të kalojnë më tej në fazën tjetër eliminatore, të quajtur Elite Raund. Këto takime do të luhen në pranverë të vitit 2010. Fituesit e shtatë grupeve të Elite Raund do të bashkohen me Lihteshtejnin, vendin organizator. Finalet e Kampionati Europian do të luhen në maj të vitit 2010. Gazeta “Albania” bisedoi me trajnerin Ardian Mema për t’i marrë atij edhe përshtypjet në lidhje me këtë brez lojtarësh (vitlindjet 1993 e 1994), të cilët më pas do të jenë pjesë me Shqipërinë U-19, atë U-21 e ndoshta shumë prej tyre edhe me Kombëtaren e madhe, atë A.
Mema, jeni duke mbushur vitin e parë si trajneri i përfaqësueses U-17 dhe tashmë e keni kristalizuar një mendim në lidhje me nivelin e futbollit shqiptare të kësaj grupmoshe. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Në sitën tonë, jo vetëm timen si trajner apo të ndihmësve të mi, por të një grupi më të vërtetë të madh, që nis nga trajnerët e klubeve apo drejtuesit e gjashtë ligave amatore në vend, janë verifikuar apo seleksionuar në të gjithë vendin, një grup jashtëzakonisht i madh lojtarësh, rreth 300 futbollistësh të rinj, të vitlindjeve 1933, 1994 apo dhe më të vegjël. Për të qenë të sinqertë, ka pasur si lojtarë që kanë shfaqur premisa të vërteta futbollistike ashtu dhe një pjesë që janë ende në hapat e tyre në këtë sport.
Ju jeni vetë një produkti i pastër i ekipeve zinxhir të Tiranës, falë së cilës arritët të ngjisni jo vetëm majat në karrierën tuaj me këtë ekip, duke u shpallur disa herë kampion, por dhe të zini një vend në ekipin Kombëtar. Nisur nga përvoja juaj, por dhe nga detyra që keni, çfarë keni konstatuar në formimin e tyre?
Natyrisht që ka probleme me cilësinë e lojtarëve të kësaj, pasi nuk flasim për futbollistë të mirëfilltë, por që janë në zhvillim e sipër. Pikërisht këtu qëndron edhe filozofia e punës sonë, mënyra sesi i zhvillojmë ato. Dua të theksoj se jemi duke përdorur metodat dhe literaturën më të përparuar për këtë moshë, të marrë prej akademive më prestigjioze në Europë. Ata janë e ardhmja e futbollit tonë, pasi ata do të mbushin ekipet e moshave më të mëdha e deri te ekipet e para.
Ju jeni duke zhvilluar, thuajse çdo ditë në Kompeksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, seanca stërvitore me lojtarë të kësaj moshe. Çfarë jeni duke bërë më konkretisht?
Pas skedimit të plotë të tyre, ku për secilin ekziston një skedë e dokumentuar dhe e çuar në Federatën Shqiptare të Futbollit në Sektorin e Ekipeve Kombëtare është një punë me të vërtetë voluminoze, tashmë jemi në fazën e dytë, më konkrete kjo, atë të seleksionimit të atyre që e meritojnë edhe të veshin fanellën e përfaqësueses U-17, apo të atyre që premtojnë për klubet prej të cilave vijnë. Deri tani, nga fundi i janarit (2009) dhe deri tani, janë trajnuar gati 100 lojtarë, që vijnë nga kampionati shqiptar apo dhe nga të rinj që vijnë nga kampionatet e vendeve të ndryshme evropiane, si Italia, Greqia, Belgjika, Gjermania, etj. Thuajse të gjithë lojtarët e kësaj moshe me të dhënat e tyre do të publikohen në faqen zyrtare të federatës (fshf.org).
Në testim e sipër janë dhe disa lojtarë që vijnë nga kampionatet e huaja. Duke qenë se flasim për futbollistë të rinj që vijnë nga shkolla të tjera sportive, a keni konstatuar diferenca të mëdha në raport me ata që po rriten pranë klubeve shqiptare?
Kjo është e natyrshme, pasi dhe infrastruktura sportive, por dhe filozofia e klubeve nga vinë atë, duhet ta pranojmë se është më krejt tjetër në raport me tonë, pasi aty futbolli e lojtari shihet gjithmonë në funksionon të investimit jo vetëm futbollistik, por në shumë plane. Për ilustrim po jap disa emra. Aleksandër Grazhdani është një sulmues që vjen nga Rimini, Fabio Hoxha është golashënuesi më i mirë i Interit U-17, Benkert Abdija është një mesfushor shkatërrues i fuqishëm që vjen nga Siena U-17. Dallohen menjëherë për formimin dhe konceptet e tyre për futbollin, disiplinën taktike dhe horizontin si lojtar. Të këtij niveli janë dhe ata që kanë ardhur nga Greqia, pasi dy prej tyre janë rritur në Akademinë e Olimpiakosit apo Jonikosit apo disa të tjerë me ekipe me emër. Futbolli në këto vende nis qysh në moshën gjashtë vjeç, e deri sa të bëhen 16 vjeç, pra për U-17, kanë marrë shumë njohuri nga trajnerët më të cilët kanë punuar. Vazhdimisht u referohem faqeve të klubeve të tyre, ku evidentoj edhe statistika të aktivizimit apo informacione të tjera me vlerë.
Shqipëria ka nxjerrë disa emra të spikatur nga kampionati vendas, që kur kanë qenë pjesë e përfaqësueses U-17 kanë lënë përshtypje të mira në aktivitetet ndërkombëtare.
Pa dyshim, Jahmir Hyka, Emiljano Vila, Erando Karabeci, apo dhe ndonjë tjetër, është një shembull i mirë. Nëse do të kemi më shumë të tillë, atëherë po, gjithçka do të ecë për bukuri. Nga ana tjetër, dua të theksoj ketë, se lojtarë që vijnë nga Akademia e Partizanit apo ajo e Vllaznisë, ekipeve të moshave të Tiranës, Flamurtarit, ku stërviten prej vitesh, duken që bien era futboll. Pikërisht, në këtë nivel organizmi dëshiroj të ngrihet futbolli ynë i moshave. Nëse arrihet kjo, atëherë mendoj se futbolli shqiptar do të ketë të ardhme, në kuptimin cilësor të fjalës.
Para pak kohësh është krijuar edhe Kombëtarja U-15, e drejtuar nga një tjetër emër i njohur i futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, dikur edhe trajneri i Kombëtares A. Çfarë marrëdhëniesh keni krijuar me të, gjithmonë në funksion të bashkëpunimit, duke qenë se lojtarët që trajnoni ju do të kalojnë më parë në filtrin e kësaj përfaqësuese?
Do ta konsideroja si të krijuar në momentin e duhur. Me Demollarin jemi vazhdimisht në kontakte pune, madje në shumë raste kam asistuar në stërvitjet e tij me futbollistë në moshën 14 vjeç. Është pozitive, pasi më parë lojtarët skedohen prej tij, marr vlerësimet e duhura për ta. Është e njëjta logjikë dhe linjë që ecën edhe nga U-17-a te U-19-ta e Ramadan Shehut, dhe nga ai ekip te U-21-shi i Artan Bushatit. Tani funksionon si një ingranazh i plotë seleksionimi. Secili merr masat e tij për zhvillimin e lojtarëve që ka nën trajnim.
Në muajin shtator, Kombëtarja U-17 do të luajë edhe tri ndeshjet zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Europian, ato kundër Hungarisë, Sllovakisë e Luksemburgut. Si i shihni ato, kur në edicionin paraardhës, nuk është se lamë ndonjë përshtypje të mirë?
Në funksion të kësaj kanë qenë jo vetë seleksionimet e vazhdueshme, por dhe miqësoret me Maqedoninë, Malin e Zi apo dhe me ekipet e tjera shqiptare. Kemi fituar, barazuar apo dhe humbur me to. Por, të jeni i bindur se lojtarët kanë fituar eksperiencë. Përsa u përket kundërshtarëve, natyrshëm që duhen respektuar nga Hungaria e deri te Luksemburgu, por nuk kemi pse të jemi nën presion. Synimi ynë është prezantim dinjitoz. Nga ana tjetër duhet të guxojmë edhe për rezultate pozitive. Tek e fundit, nuk kemi pse të luajmë në mbrojtje.
Kampionati Europian U-17 2010
Eliminatoret
Grupi 11
Hungari
Sllovaki
Shqipëri
Luksemburg
Ndeshjet zhvillohen nga data 25-30 shtator 2009, në Hungari.
100 lojtarë në skaner
Ndërsa kampionatet e kësaj moshe, niveli superior dhe inferior, kanë kohë që kanë përfunduar (Vllaznia, kampion për superiorët; Skënderbeu e Laçi, për nivelin inferior), trajneri i Kombëtares U-17, Ardian Mema dhe ndihmësit e tij, Luan Sengla e Gud Tafgaj (trajneri i portierëve) janë në kulmin e punës së tyre, duke vazhduar thuajse çdo ditë me vëzhgimin dhe seleksionimin e një grupi të madh futbollistësh të rinj. “Janë rreth 100”, - thekson Mema, - prej të cilëve do të përzgjidhen edhe lojtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian”.
Talentet
Lika, gardiani shqiptar i B93 Kopenhagenit
Portierët shqiptarë vazhdojnë të lënë gjurmët e tyre në Europë, madje “gardianë” të rinj po rriten profesionalisht në ambientet sportive të tyre. Samir Ujkani i formuar në akademinë e Anderlehtit (U-19) në Belgjikë, përpara se të transferohej te Palermo në Itali (Seria A), tashmë në forcë te Novara (Seria C1), është përfaqëesuesi më tipik, por emra të tjerë si Enea Koliqi (Iraklis) dhe Stiv Frashëri (Aris), apo dhe më të rinj si Xhino Sejdo(Venecia U-19), Deljan Bregasi (Sampdoria U-19) po i japin një dimension rinor e të sigurt ardhmërisë së “katërkendëshit” shqiptar. Një emër tjetër që po përmendet vazhdimisht, si një portier i talentuar është dhe ai i Geri Likës, i cili mbron fanellën e B93 Kopenhagen në Danimarkë. Më parë, Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC), Arben Kasolli (me disa skuadra në Greqi e Holandë), të cilët kanë qenë disa nga pionierët e “gardianëve” shqiptarë në Europë, kanë luajtur me sukses në kampionatet europaine, ashtu sikundër janë aktivë edhe portierët aktualë të Kombëtares shqiptare A dhe të moshave (U-17 deri U-21): Arjan Beqaj (Anothosis Famagusta, Qipro), Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë), Ilion Lika (Terek Grozni, Rusi).
“Tashmë kam fituar përvojë si portier, - tha 18-vjeçari i talentuar, Geri Lika, portieri i B93 Kopenhagen U-18 dhe një nga gardianët e Kombëtares U-19 të Shqipërisë. “Kam qenë titullar i padiskutueshëm me ekipin tim dhe jam stërvitur rregullisht me ekipin e parë të klubit. Besoj se kam bërë paraqitje të pëlqyeshme, ndërkohë që jam ndjekur edhe nga menaxherë të huaj, të cilët në bashkëpunim edhe me agjencinë “Vata Vision Football Management”, janë duke më krijuar mundësinë për një testim te ekipet e moshave të Ajaksit. Kam luajtur kundër Ajaksit U-18 dhe u mundëm 1-0, me një gol të realizuar me penallti tyre”, - shton Lika, i bindur se e meriton një provë te një prej akademive më prestigjioze në botë dhe e njohur për trajtimin profesional të të rinjve të talentuar. “Një alternativë e hapur mbetet edhe Silkeborgu, atje ku luan mbrojtësi Renato Arapi, por edhe Olimpiakosi në Greqi, atje ishte para tre sezonesh Jahmir Hyka e Hansa Rostiku në Gjermani, shto edhe ekipin Galipoli në Itali. E ndjej se është koha të lëviz e të ndërroj ekip”, - përfundon Geri Lika.
3 Gusht 2009