E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria u shet fshehtas, për 1 euro, tokën e pyjeve kompanive ndërtuese

Nga vendimi sekret përfitojnë fabrikat e çimentos dhe zonat industriale. Vendimi abuziv ka krijuar përplasje me hartën e çmimeve të tokës

Ervin KOÇI

Tokat e një pjese të parqeve kombëtare dhe pyjeve në disa zona të vendit do t’u shiten për 1 euro kompanive ndërtuese që presin të ngrenë aty fabrika ose parqe energjetike. Qeveria, me anë të një vendimi të fshehtë (jo transparent), ka vendosur që të çojë për “dhjamë qeni” një pjesë të mirë të tokave që janë pyje ose u përkasin zonave të parqeve kombëtare natyrore, për t’ua dhënë ato investitorëve të huaj ose vendas. Një vendim qeverie vetëm dy javë para zgjedhjeve sanksionoi tarifa simbolike për procedurat e transferimit të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore që do të përdoren për ndërtimin e veprave industriale. Vendimi i datës 23 qershor, në Nenin 1, pika “a”, thotë: “Çmimi i tokës pyjore që do të përdoret për truall ndërtimi do të jetë 1 (një) euro”. Dhe në pikën “b”: “Tarifa e heqjes, përdorimit/shfrytëzimit të pyllit apo fondit kullosor, kur kontrata e investimit është miratuar me ligj të veçantë, të jetë 1 (një) euro”.
Vendimi i miratuar më 23 qershor nuk u publikua në faqen e Këshillit të Ministrave, në një kohë që të gjithë dokumentacionin për këto procedura po e përgatit Ministria e Mjedisit me urdhër të kryeministrit. Bëhet fjalë për tokat e pyjeve, ose kullotave në zonat e Shkodrës, pranë liqenit, që është konsideruar si park kombëtar dhe mbrohet me ligj të posaçëm. Gjithashtu, në listë janë edhe zona pyjesh në Lezhë, Durrës, Fier dhe Vlorë, që të gjitha këto pjesë e habitateve natyrore dhe e parqeve kombëtare, e për më tepër, në afërsi të bregdetit. Nga këto procedura përfituese do të jenë kompanitë që pritet të ngrenë aty fabrika çimentoje, struktura të tjera industriale dhe parqe energjetike. Këto projekte industriale dhe energjetike janë miratuar me shpejtësi dhe pa transparencë nga qeveria gjatë kohëve të fundit dhe që mbartin pak apo aspak interes publik. Ato do të përfitojnë tokë pyjore nga prona publike përkundrejt çmimit simbolik prej 1 euro, ndërkohë që vendime të tilla nuk do të njoftohen fare publikisht, pasi do të jenë në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit.

Shitje abuzive

Qeveria nuk ka bërë të ditur emrat e kompanive që do të përfitojnë dhjetëra hektarë pyje e kullota me çmimin tashmë të vendosur 1 euro, si dhe se ku gjenden këto prona. Por, përveç zonave bregdetare dhe tokave në parqet kombëtare, “falja” e këtyre pronave shtetërore që kanë një vlerë jashtëzakonisht të lartë, ose shitja për “një grosh”, ka vijuar edhe me zona të tëra afër kryeqytetit. Por që të gjitha këto shitje janë bërë në kundërshtim me atë që njihet si Harta e Çmimit të Tokave dhe që është një dokument reference për çmimet e tokave në të gjithë vendin. Harta e çmimeve është një vendim qeverie i vitit 2006, me anë të të cilit qeveria shpalli çmime reference për të gjithë territorin e vendit për kompensimin e pronave të konfiskuara apo të sekuestruara gjatë regjimit komunist. Sipas hartës, çmimi më i lartë është 500 lekë për metër katror tokë bujqësore e cilësisë së parë. E njëjta hartë tashmë po përdoret nga qeveria për të shitur toka bujqësore, por që në fakt destinacioni i përdorimit të këtyre tokave nuk është më bujqësia, por pallatet. Ironikisht, qeveria, në vendimet e veta, ka sanksionuar që ato pak para që do të përfitohen nga shitja e tokës publike me 200 apo 300 lekë metri katror do t‘i kalojnë fondit të kompensimit të ish-pronarëve. Me anë të vendimeve të mëparshme të Këshillit të Ministrave janë shitur parcela toke në Lundër dhe në Mëzez me çmime sipas atyre të përcaktuara në hartën e çmimeve dhe që marrin për bazë vlerën e tokës sipas produktivitetit bujqësor.

Abuzimi me pyjet

Vitin e kaluar qeveria shqiptare ndryshoi pa zhurmë dhe pa publicitet ligjin për pyjet dhe kullotat. Ligji i vjetër sanksiononte që një sipërfaqe toke shtetërore më e madhe se 30 hektarë mund të kalonte në pronësi private vetëm me ligj të veçantë. Ndryshimi e rriti këtë kuotë deri në 100 hektarë. Edhe pesë fabrikat e çimentos morën sipërfaqe të madhe pyjore përmes këtij ndryshimi ligjor. Pak javë pas miratimit të këtij ndryshimi ligjor, 97 hektarë tokë në gadishullin e Karaburunit iu transferuan një kompanie private në përdorim, ndërsa me vendimin e fundit të qeverisë kompania do të ketë të drejtë të paguajë 1 euro për atë sipërfaqe toke. Qeveria nuk ka bërë të ditur se kush janë kompanitë që do të përfitojnë dhjetëra hektarë pyje e kullota me çmim 1 euro dhe nuk ka bërë të ditur se ku gjenden këto prona.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›