Bonot e thesarit, dominuese në tregun e pakicës së letrave me vlerë
Tregu me pakicë i letrave me vlerë të qeverisë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009 u dominua në masën 96.32% nga transaksionet në instrumente afatshkurtra (bono thesari) dhe 3.68% nga instrumente afatgjata (obligacione). Të dhënat statistikore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi tregun me pakicë të letrave me vlerë për periudhën janar-qershor 2009 flasin për një dominim të transaksioneve "blerje në tregun primar" dhe "shlyerje e vlerës nominale në maturim" përkatësisht me 34.01% dhe 31.93% kundrejt volumit të përgjithshëm. Referuar të dhënave të mësipërme për nga numri i transaksionit, nisur nga pjesëmarrja sipas llojit të investitorëve, individë apo persona juridikë, shihet se në peshë specifike më të lartë janë investitorët individualë me 98.25% të totalit të transaksioneve në këtë treg. Transaksioni i llojit "shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009 ka pasur një rritje prej 244 milionë lekë ose në masën 4.99%, krahasuar me periudhën janar-qershor 2008, ndërsa numri i transaksioneve ka pësuar një rënie në masën 9.73%. Transaksioni i llojit "blerje nga individët para afatit të maturimit" gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009 ka pasur një rritje prej 390 milionë lekë ose 143.29%, krahasuar me periudhën janar-qershor 2008, ndjekur nga një rritje në masën 23.57% të numrit të transaksioneve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve me rreth 634 milionë lekë.
Të ardhurat nga TVSH-ja në 5 muaj, 28 miliardë lekë
Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në 5-mujorin e parë 2009 llogariten mbi 28.4 miliardë lekë, ose gati 2 herë më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2005, kur u mblodhën 15.5 miliardë lekë. Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të arrijnë në 10% të PBB-së, ose 117 miliardë e 491 milionë lekë në vitin 2009, ndërsa për vitin 2008 ato arritën në rreth 107 miliardë lekë, nga 106.9 miliardë që ishte plani, duke zënë në këtë mënyrë rreth 10% të PBB-së në 2008-n, nga 9% që ishin në vitin 2007. Historikisht në dogana janë mbledhur rreth 70 për qind e të ardhurave totale nga TVSH-ja dhe 30% TVSH brenda vendit. Kërkesës së herëpashershme të biznesit për ulje të mundshme të nivelit të TVSH-së, ekspertë të Ministrisë së Financave i përgjigjen me faktin se mbajtja e TVSH-së në këtë nivel përbën veprimin më pozitiv dhe të fuqishëm që ekonomia shqiptare të performojë dhe konkurrojë në tregun rajonal dhe më gjerë, si dhe instrumentin më të mirë për të nxitur eksportet shqiptare.
3 Gusht 2009