E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Materialet përfshijnë fletët



Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama kërkoi hetimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit. Gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me gazetarët, Rama interpretoi rezolutën e Parlamentit Europian ku u shpreh se në materialet zgjedhore që përmend rezoluta përfshihen dhe fletët e votimit. “Rezoluta e PE-së flet qartë për transparencë përmes hetimit të materialit elektoral. Me material elektoral apo zgjedhor Kodi ynë Zgjedhor nënkupton gjithçka ndodhet në kutitë e votimit përfshirë dhe fletët. Por jemi të gjithë të vetëdijshëm për qasjet e ndryshme ndaj fletëve të votimit atëherë jemi të gatshëm këtu të bëjmë dhe një kompromis që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk mund të përfshijë djegien e fletëve të votimit”, u shpreh Rama. Kreu socialist në interpretimin e tij të nenit 178 të Kodit Zgjedhor u shpreh se ky nen do të kishte kuptim nëse kërkesa për transparencë të zgjedhjeve do të ishte plotësuar nga maxhoranca qeverisëse. “Neni 178 duhet dhe do të zbatohet jo sot, edhe për zgjedhjet në vijimësi që do të thotë se nuk jemi aspak të shqetësuar për nenin 178 dhe as duam fare që të hiqet madje nga Kodi Zgjedhor vetëm atëherë kur nuk ka më as kontest, as kërkesë dhe as nevojë për kutitë e materialeve zgjedhore apo të fletëve të votimit. Ndërkohë që sot jemi përpara një kërkese të shprehur, pa filluar Parlamenti, jo në emër të Kodit Zgjedhor, por në emër të Kushtetutës, të së drejtës për hetim, që ka Parlamenti si një institucion sovran dhe që ka opozita në rastin konkret si pakica kontrolluese përmes komisionit hetimor, për çdo çështje të rëndësisë së veçantë”, u shpreh Rama. Duke qëndruar tek zbatimi i nenit 178 të kodit zgjedhor, i cili përcakton arkivimin e materialeve zgjedhore dhe asgjësimin e fletëve të votimit, Rama tha se nëse fletët digjen, PS do të ndërpresë përfundimisht marrëdhëniet me Parlamentin aktual. “Djegia e fletëve të votimit nuk është fundi i çdo përpjekjeje për çdo kompromis, por është edhe ndarja përfundimtare me këtë Parlament dhe me këtë Qeveri. Ndërkohë që është tërësisht i pavërtetë një spekulim i mbrapshtë, dhe një gënjeshtër e rëndomtë që ne e paskemi pasur apo që e kemi dhe tani, të drejtën që të bëjmë transparencën e dokumentacionit zgjedhor”, u shpreh Rama. Sipas tij, rezoluta shpreh qartë nevojën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Rezoluta është e qartë si drita e diellit. Zgjedhjet duhen hetuar që të mos përsëriten më ato që kanë ndodhur në të shkuarën. Komisionin hetimor duhet ta drejtojë opozita dhe shumicën në komision duhet ta ketë opozita. Jo një shumicë dekorative, por një shumicë vendimmarrëse”, u shpreh Rama.
Protestat
Kryesocialisti përsëriti dhe qëndrimin e shprehur nga grupi parlamentar për nisjen e protestave popullore në shtator nëse zgjidhja e krizës së transparencës nuk gjendet deri atëherë.
“Ne do të jemi përballë të vendosur deri në fund që në Shqipëri të fitojë demokracia. Që në Shqipëri liritë dhe të drejtat duke filluar nga ajo e votimit të garantojë njësoj për të gjithë. Që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ne nuk do të lejojmë të bëhen zgjedhje që të jenë një përsëritje e farsës së 28 qershorit. E një zgjatim i turpshëm i traditës së zgjedhjeve të deformuara e të korruptuara. Këto janë dy koncepte tërësisht të ndryshme. Ne nuk do të tërhiqemi po do të vazhdojmë. Në rast se edhe kjo kambanë e fortë alarmi për politikën shqiptare, e kryesisht për autoritetet shqiptare, që vjen nga PE nuk do të dëgjohet protesta jonë do të njoh një fazë të re. Një përshkallëzim të ri me një mbështetje edhe më të madhe sesa mbështetja e jashtëzakonshme që populli opozitar i ka dhënë kauzës së transparencës”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›