Kriza, buxheti 380 milionë USD më pak
Qeveria ka vendosur të shkurtojë të gjitha zërat e buxhetit të shtetit. Gazeta boton tabelën me shpenzimet dhe të ardhurat kryesore të cilat do të shkurtohen. Më në fund, edhe pse rriti pagat e pensionet, Qeveria pranoi se të ardhurat nuk do të justifikonin shpenzimet. Rruga më e drejtë, e pranuar edhe nga Ministri i Financave Bode, para deputetëve të Konferencës së Kryetarëve, ishte përshtatja me të gjitha vendet e botës.
Shpenzimet
Shkurtimi i shpenzimeve të buxhetit kap shifrën e 38 miliardë lekëve, ose rreth 380 milionë USD. Nga shkurtimi preken pothuajse të gjitha zërat dhe ministritë. Shkurtimi më i madh është ai i shpenzimeve kapitale, ose investimeve. Në total këtë vit do të ketë 190 milionë USD më pak shkolla, rrugë, spitale, në krahasim me përshkimin e Qeverisë. Qeveria, duke parë edhe të ardhurat e ulta të pushtetit vendor, ka shkurtuar me rreth 85 milionë USD, shpenzimet për bashkitë e komunat. Këto shkurtime prekin rreth 30 milionë USD më pak nga të grantit që Qeveria i jep pushtetit vendor dhe rreth 55 milionë USD nga të ardhurat e munguara nga vetë bashkitë e komunat. Por nga shkurtimet e Qeverisë, do preken të gjithë ministritë dhe institucionet e tjera të varura nga Qeveria. Në shkurtimin e shpenzimeve korente, Qeveria do të japë 65 milionë USD më pak, pra që përdoreshin për shpenzimeve operative dhe mirëmbajtjeje. Një shkurtim i fortë, pas makinave, u ishte bërë edhe parave që administrata i harxhonte për celularët dhe telefonat e zyrave. Edhe pse u trumbetua se rritja e pagave dhe pensioneve nuk do të preken nga kriza dhe shkurtimi i buxhetit, sërish Qeveria nuk e ka përdorur të gjithë fondin. Qeveria ka shkurtuar rreth 10 milionë USD, duke mos i përdorur për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Të ardhurat
Shumë prej ekonomistëve, i thanë Qeverisë që shkurtimi i parashikimit për mbledhjen e të ardhurave, do të shkurajonte administratën. Ata parashikonin që zëri i të ardhurave të mos prekej. Por qeveria ka parashikuar të shkurtojë me 270 milionë USD të ardhurat në buxhet. Nga këto, 160 milionë USD do të mblidhen më pak nga biznesi, duke treguar qartë krizën ekonomike dhe pamundësinë e pagesave nga aktiviteti privat. Megjithatë, në zërin "të tjera", shikohet një rritje e çuditshme me rreth 49 milionë USD. Në buxhetet paraar-dhëse, zëri "të tjera" ka parasysh kryesisht të ardhurat nga gjobat. Duket e habitshme, si Qeveria parashikon 49 milionë USD më shumë gjoba për këtë 6 mujor.
Deficiti
I gjithë ndryshimi i buxhetit është bërë në mënyrë që deficiti të jetë sa më i ulët. Qeveria ka parashikuar në buxhetin e ri që deficiti të jetë 110 milionë USD më pak sesa parashikimi. Qeveria do të marrë rreth 100 milionë USD më pak para nga bankat e nivelit të dytë dhe rreth 10 milionë USD më pak nga financimet e huaja.
Ndërtimi në krizë, energjia “shpëton” GDP
Tre muajt e parë të vitit 2010 nuk kanë rezultuar aspak pozitive për sektorin e ndërtimit ku kriza ka vazhduar të thellohet. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave sektori i ndërtimit, në tremujorin e parë të vitit 2010 u ul me 21.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 4.3 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Në të kundërt ka ecur kurba për grupin e industrive e ndihmuar nga prodhimi i lartë i energjisë në vend. INSTAT bën me dije se ky grup shënoi një rritje prej 27.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2009, dega e industrisë u rrit me 19.9 për qind. Ekonomia në total u rrit me 2 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009 dhe me 1.8 për qind me tremujorin paraardhës.