Arben Sefgjini rikthehet në krye të institucionit të shërbimit të provës për të dënuarit
TIRANË- Megjithëse Arben Sefgjini është i pandehur dhe një ndër të akuzuarit kryesor për çështjen e torturës dhe zhdukjes së biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha, qeveria i beson një post të rëndësishëm atij në sistemin e drejtësisë. Sefgjini, deri dje ish kreu i Tatimeve njëkohësisht i pandehur dhe i akuzuar për një vepër të rëndë penale, emërohet në krye të institucionit të shërbimit të provës për të dënuarit, një strukturë e re që pritet të fillojë së shpejti punën. Këtë lëvizje e konfirmoi vetë ministri i Drejtësisë Enkeled Alibeaj. “Zoti Arben Sefgjini me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë është emëruar Drejtor i Shërbimit të Provës në Drejtorinë e Përgjithshme në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Ka jo më shumë se tre javë që i gjithë kuadri ligjor për shërbimin e provës është plotësuar. Janë miratuar të gjitha, është miratuar dhe drejtori, po plotësohet kuadri infrakstrukturorë, 5 ditë më parë përfunduam edhe ndërtimin e godinës ku do të vendoset Shërbimi i Provës” – u shpreh ministri i Drejtësisë Alibeaj. Pavarësisht akuzës së rëndë që bie mbi Sefgjinin, për kreun e Drejtësisë fakti që Sefgjini është në gjykim nuk përbën asnjë problem. Sefgjini dhe 4 ish funksionarë të tjerë të lartë të SHIK-ut akuzohen për zhdukjen e biznesmenit Hoxha që prej vitit 95, ku ai u rrëmbye dhe u torturua në ambientet e SHIK-ut në Vain të Lezhës dhe që prej asaj kohe familja është ende në kërkim të eshtrave të njeriut të tyre të dashur. Shërbimi i Provës, mendohet të jetë një nga risitë më të rëndësishme në sistemin e burgjeve. Pasi prej kësaj strukture që tashmë e drejton zoti Sefgjini do të përpunohen të gjitha kërkesat e të dënuarve që luten të lenë qelitë, përballë një dënimi tjetër alternativ sikurse është liria në kushtet e shtëpisë.
Vetëvritet duke luajtur me çifte 15-vjeçari
Peqin- Një 15 vjeçar nga rrethi i Peqinit ka humbur jetën pasditen e djeshme pasi është vrarë aksidentalisht teksa luante me një çifte. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur ne fshatin Dranga. Sipas burimeve, 15- vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është qëlluar aksidentalisht nga një shoku i tij që po mbante në dorë armën e zjarrit. Burimet shtojnë më tej se në vendngjarje kanë mbërritur agjentet e kriminalistikes, të cilët po marrin në pyetje bashkëmoshatarin e viktimës.
15 Maj 2009