E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kryeprokurori mohon akuzat e Albana Lazes



Tiranë – Ish-kryeprokurori i Krimeve të Rënda dëshmoi dje me dyer të mbyllura pas akuzës së lëshuar ndaj tij nga e arrestuara Albana Laze. Rasti në fjalë ishte i pari zyrtarisht në të cilin flitej për mitmarrje te Krimet e Rënda. Laze tashmë po gjykohet për akuzën e mashtrimit në Gjykatën e Tiranës. Dje dëshmitar ishte Adnan Kosova, për të cilin mësohet të ketë mohuar të gjitha akuzat e thëna nga Laze ndaj tij dhe institucionit që ai drejtonte.
Albana Laze është hetuar që prej vitit 2005 pas sinjalizimeve se ajo përdorte emra të drejtuesve të Drejtësisë për t'u marrë paratë familjarëve të të burgosurve. Punonjës të SHISH-it e kanë ndjekur dhe vëzhguar atë, por në vitin 2006 hetimi është mbyllur pa ndonjë shkak të rëndësishëm. Por ky hetim nuk u ka dhënë fund mashtrimeve të Albana Lazes. Rasti i fundit që çoi në pranga Lazen ka qenë ai i Shullazit dhe Ferhatit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, 150 mijë eurot i janë dorëzuar Albana Lazes nga e fejuara e Emiljano Shullazit. Kjo e fundit ka shpjeguar mënyrën e njohjes dhe takimet me 34- vjeçaren për lirimin nga qelia të dy të akuzuarve. Dëshmisë së të fejuarës së Shullazit i janë bashkëngjitur edhe ato të dajës së tij dhe të babait të Ferhatit, të cilët kanë treguar takimet me Lazen dhe dorëzimin e lekëve me dy këste, një herë nga 50 mijë euro dhe më pas nga 25 mijë të tjera.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›