E Diel, 1 Nëntor 2026

“Euro Bank”, në pranga tre persona, dyshohet se falsifikonin dollarë

Hasan Dardha, Altin Plaku dhe Hekuran Curri donin të shkëmbenin 300 dollarë në bankë. Policia sekuestroi në cilësinë e provës 2300 USD dhe 1250 euro false

TIRANË - Tre persona kanë rënë sot në prangat e policisë së Tiranës me akuzën e falsifikimit të parave. Ka qenë një operacion i organizuar nga Antikrimi i Tiranës, i koduar me “Euro Bank” ajo që solli arrestimin në flagrancë të tre shtetasve.
Operacioni
Hasan Dardha, 24 vjeç, banues në Tiranë, Altin Plaku, 23 vjeç, lindur dhe banues në Durrës dhe Hekuran Curri, 25 vjeç, banues në Tiranë. Të tre të sipërpërmendurit u kapën në afërsi të Rrugës së Kavajës gjatë momenteve të këmbimit të një shume prej afro 300 dollarësh në një bankë private. Aksioni i policisë vazhdoi dhe me tej, ku Ervis Dardhës iu gjetën edhe 2000 dollarë të tjerë të prerjes 100 dollarëshe të falsifikuar. Nga hetimet rezultoi se këtë shumë valute, Dardha e kishte marrë nga dy shtetas të tjerë, Altin Plaku dhe Hekuran Curri. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së Plakut policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale shumën e 1250 eurove false. Tre të arrestuarit akuzohen për konsumimin e veprës penale të “falsifikimit të monedhave”. Policia po heton gjithashtu edhe mënyrën dhe rrugën si janë siguruar dhe prodhuar dollarët false dhe sa i shtrirë është rrjeti i përdorimit të tyre.
Rastet
Më 19 mars 2007 policia e Tiranës arrestoi 3 persona gjatë operacionit të koduar “Dollarët e largët”. Bazuar në raportet e policisë u vunë në pranga Selman Shoshai dhe Safet e Saed Emini, të cilët u akuzuan për falsifikim dollarësh. Në momentin e arrestimit këtyre personave iu gjeten 11 mijë e 700 dollarë fals. Po ashtu edhe 3 persona të tjerë të dyshuar për të njëjtën vepër penale u hetuan në gjendje të lirë. Më 7 tetor 2008 pesë studentë u arrestuan pasi u kapën me 1000 euro false. Ata janë arrestuar teksa Seksioni i Antikrimit Ekonomik të Tiranës ka realizuar një operacion për valutë false. Hetimet treguan se eurot do të shpërndaheshin në tregun e kambistëve dhe origjina e tyre mendohet të ketë ardhur nga Maqedonia. Më 4 tetor 2008, falë operacionit të koduar “Falsifikatori”, u vunë në pranga 2 persona, të cilët akuzoheshin për falsifikim të parave. Në momentin e arrestimit atyre iu sekuestruan 80 mijë euro false. Burime policore thanë atëherë se të arrestuarit ishin Andrea Marku 56 vjeç dhe Luigj Malaj 61 vjeç. Në momentin e arrestimit Markut iu sekuestruan rreth 50 mijë euro false, ndërsa 61-vjeçarit 30 mijë euro false dhe automjeti tip “Benz”.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›