Anëtarësimi në NATO, Topi letër Obamës
Presidenti Bamir Topi ka falënderuar përmes një letre Presidentin e SHBA-së, Barak Obama, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Më lejoni, Zoti President, që, në emër të popullit shqiptar dhe timin personal, t’Ju shpreh falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë e në të njëjtën kohë t’Ju siguroj se Shqipëria, brenda familjes së saj të re do të sillet si e barabartë dhe e denjë për të dhënë kontributin e saj në sfidat e reja për liri, demokraci e siguri rajonale e globale!”, thuhet në letrën e kreut të shtetit. Në të njëjtën kohë, ai ftoi zyrtarisht Obamën për vizitë në Tiranë. “Duke Ju përsëritur edhe një herë ftesën time, në emër të gjithë popullit shqiptar, për të vizituar Shqipërinë, dëshiroj t’Ju siguroj, President Obama, se angazhimi i diplomacisë, i burimeve civile të Shqipërisë dhe i Forcave tona të Armatosura, përvoja e të cilave është shumë serioze, do të vihen në shërbim të përballjes së përbashkët, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë global, për të ndërtuar një botë më të mirë për kombet, civilizimet dhe të ardhmen e tyre”, thuhet në letër.