Meta: Na duhet një qytet me standarde
“Eshtë Koha për Veprim dhe Rinia është në Veprim”. Bazuar dhe në këtë slogan të fushatës së LSI dhe LRI, Ilir Meta i shoqëruar nga dhjetëra të rinj së bashku dhe me Kryetaren e LRI, Erisa Xhixho, zhvilluan dje një aksion për pastrimin e një kanali të ujërave të zeza në periferi të zonës së Kombinatit. Prej vitesh ky kanal gjendet i mbushur plot me plehra, duke vështirësuar së tepërmi jetesën e banorëve që jetojnë përreth këtij kanali. Vetë banorët kanë kërkuar ndihmë që të zgjidhet kjo situatë e rëndë për to, por deri tani nuk janë akorduar fondet përkatëse për investimin dhe zgjidhjen e këtij problemi shqetësues. Meta së bashku me të rinjtë e LRI, i shoqëruar edhe nga Kryetarja e Minibashkisë së Kombinatit, Luzhiana Abazi, dha kontributin e tij për pastrimin e kanalit, sepse është Koha për Veprim, duke bërë dhe një apel për pushtetin vendor dhe Qeverinë, që të gjenden zgjidhje për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, që jetojnë në kushte kaq të vështira, duke ndjerë gjithë ditën erën e rëndë të ujërave të zeza. “Ju e shikoni se çfarë gjendje e rëndë është, se çfarë problemi është për këta mijëra banorë që jetojnë këtu dhe kjo, padyshim, që na bën një thirrje për të vepruar, jo vetëm neve, me qëllim për të ndihmuar dhe për të dhënë një kontribut duke pastruar këtë kanal, që kur të bien shirat të mos ketë përmbytje për komunitetin. Por njëkohësisht është edhe një apel drejtuar pushtetit vendor, drejtuar qeverisë, drejtuar edhe komunitetit, për të bashkërenduar në mënyrë që kryeqyteti ynë të jetë vërtet një kryeqytet i standardeve evropiane, përsa i takon infrastrukturës”, tha Meta mes të rinjve.