E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhet nga kati i tretë, adoleshenti thyen këmbën

 

PESHKOPI / HASAN PASHA

Një 15-vjeçar tenton të arratiset nga ambientet e policisë, duke u hedhur nga kati i tretë i godinës. Por ky veprim i ka kushtuar shtrenjtë, pasi përfundoi në Spitalin Ushtarak me këmbë të thyer e fraktura të rënda.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës në komisariatin e Peshkopisë. I mituri ishte shoqëruar bashkë me dy bashkëmoshatarë të tjerë të tij, pasi dyshoheshin të ishin autorë të vjedhjes së një lokali në këtë qytet. Sipas burimeve të policisë, E.Lleshi ishte i shoqëruar, ndërsa për shkak të moshës së mitur bashkë me të ishte edhe babai i tij, Avni Lleshi. Ky i fundit akuzoi pas ngjarjes policinë se ia kishin dhunuar djalin në sy të tij. Pas kësaj ngjarje, dje reagoi edhe Drejtoria e Policisë, duke dhënë versionin e saj mbi atë që kishte ndodhur. Mësohet se mbrëmjen e të shtunës tre të mitur nga Peshkopia, banorë të lagjes “Kamen”, janë shoqëruar pasi dyshoheshin për vjedhje në bashkëpunim. Oficerë të policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje 15-vjeçarët në prani të prindërve të tyre. “Tre të shoqëruarit ishin moshë e mitur ndaj në komisariat ata janë pyetur në prani të baballarëve të tyre”, sqaroi policia. Pasi kaloi mesnata, i mituri, protagonist i kësaj ngjarjeje, qëndronte në sallonin e katit të tretë të policisë bashkë me të atin. Ai ka shfrytëzuar dritaren e hapur dhe është hedhur nga një lartësi mbi 7 metra. Babai i tij Avni Lleshi, u shpreh dje se para se të hidhej djali, i kishte pohuar se më mirë të vdiste sesa të arrestohej për një krim të cilin nuk e kishte kryer. “Pas hedhjes ai ka pësuar frakturë në njërën këmbë dhe nuk ka pasur mundësi të lëvizë”, pohoi më tej policia e Dibrës. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, 15 - vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit. Mjekët kryen grafinë dhe konstatuan se Lleshi kishte pësuar thyeje të këmbës së majtë, por ai ishte jashtë rrezikut për jetën. Dje pas konsultave të kryera, mjekët e Dibrës e nisën të miturin me ambulancë në Spitalin Ushtarak për një mjekim më të specializuar. Por sipas burimeve, 15 – vjeçari është nisur me urgjencë në Tiranë pasi mësohet se ai kishte probleme me zemrën. Të njëjtat burime bënë të ditur se djali kishte lindur me vrimë në zemër. Pas ngjarjes, policia po heton punonjësit e policisë që kishin për detyrë të vëzhgonin djemtë e shoqëruar, për të marrë masat e duhura administrative për ta. Vite më parë, në ambientet e policisë Dibër, pas një sherri banal mes efektivave të policisë është vrarë një qytetar dhe janë plagosur dy të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›