E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Greqia të heqë Ligjin e Luftës

 

ADI SHKEMBI

Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, detyron Greqinë që të shfuqizojë ligjin e luftës me vendin tonë. Dy ditë pas Samitit të Kehl-Strasburgut, Presidenti i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” se me përfundimin e festimeve, qeveria shqiptare duhet të hedhë hapin e parë në këtë drejtim. I pyetur se kush duhet ta përfaqësojë Shqipërinë në mbledhjet e rëndësishme të Aleancës, themeluesi i Partisë Republikane thekson se, “është kryetari i qeverisë që është ekzekutivi, është ai që i mban përgjegjësitë, ndërsa Presidenti përfaqëson vendin më tepër në raste ceremoniale, në raste solemne”.
Zoti Godo, Shqipëria është tani anëtare me të drejta të plota në NATO. Por ende ajo nuk ka zgjidhur me Greqinë çështjen e ligjit të luftës. Tani që këto dy vende janë në pozita të njëjta në Aleancë, a duhet që qeveria të kërkojë zyrtarisht shfuqizimin e këtij ligji?
Besoj se kjo çështje, së pari, duhet të bisedohet në Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s, ku ne tani do të kemi ambasadorin tonë të përhershëm, ose mund të bëhet një tratativë diplomatike drejtpërdrejtë me Greqinë. Është një çështje që e ngre kryet herë pas here dhe është jashtë vendit dhe kohës.
Po, por a duhet që Shqipëria të hedhë hapin e parë në këtë drejtim?
Shqipëria gjendet në një pozicion tjetër. Nga pikëpamja e përfaqësimit dhe dinjitetit politik ne jemi të njëjtë me Greqinë. Ajo nuk ka ndonjë votë më tepër se ne në Paktin e Atlantikut. Nëse Greqia vetë do të merrte një nisëm të tillë do të bënte shumë mirë, por në rast se ata vazhdojnë ta lënë në heshtje për shkak se kanë problemin e pronave të çamëve, është e vetmja gjë që e mban ende këtë absurditet politik. Ne le të presim edhe disa javë që të gëzojmë këto të mira që na sjell hyrja në NATO dhe pastaj të bëjmë një përçapje nga ana jonë.
Keni një koment për mënyrën se si u përfaqësua delegacioni shqiptar në NATO. U vu re që Kryeministri nuk ishte pjesë e ceremonisë së darkës së shtruar në Samit, më pas Topi e Berisha shkuan veç e veç në paradën para kancelares gjermane dhe në fund e mbyllën me Rinasin, ku kreu i shtetit nuk priti sa të përfundonte fjalën kryeministri...
Këto janë gjëra që ndodhin në raste të tilla, por për mua do të ishte më mirë që Presidenti dhe Kryeministri të ishin bashkë kudo. Do të ishte mirë që festa për NATO-n që është e gjithë shqiptarëve dhe jo e ndonjë partie, të ishte bërë në një ditë të vetme dhe jo në një ditë feston opozita dhe të nesërmen maxhoranca. Këto gjithsesi dikush i mban shënim për llogarinë tonë dhe unë them se ishte momenti që të tregonim një solidaritet mbarëkombëtar, kjo do të ishte shumë më e hijshme. Ne jemi një vend që e kemi kërkuar me këmbëngulje hyrjen në NATO, erdhi dita që ta arrijmë dhe them që kjo do të jetë arritje e shkëlqyer për çdo qeveri tani e mbrapa dhe duhej që të kishim qenë njëzëri në të gjitha punët. Gjithsesi tani ne jemi mësuar me gjëra të tilla dhe duhet t’i gëlltisim pa u merakosur dhe aq, pasi qëllimi që ishte për t’u arritur u arrit. Kjo ka rëndësi.
Shqipëria duhet të përfaqësohet me Kryeministrin apo me Presidentin në mbledhjet e ardhshme të NATO-s?
Është kryetari i qeverisë që është ekzekutivi, është ai që i mban përgjegjësitë, ndërsa Presidenti përfaqëson vendin më tepër në raste ceremoniale, në raste solemne. Por përgjegjësitë politike për drejtimin e vendit i ka ajo forcë që mandatohet nga Parlamenti, domethënë Qeveria dhe Kryeministri.
Gjatë Samitit u artikulua ideja se Kryeministri Berisha duhet të bënte pjesë të delegacionit shqiptar edhe kreun e opozitës, Edi Rama, duke qenë se ai është kandidat për kryeministër. I qëndroni dhe ju kësaj ideje?
NATO ka edhe ajo protokollin e vet, unë nuk e di nëse edhe delegacionet e tjera kanë shkuar atje duke marrë me vete edhe shefat e opozitës. Nuk është një forum politik tek e fundit. NATO është një organizëm politiko-ushtarak, në të cilin marrin pjesë krerët e shteteve. Kjo nuk është një festë që organizohet nga ne dhe duhet të vendosim ne si bëhet. Opozitë ka në çdo vend të Evropës, nuk më duket se atje kishte opozitë në delegacionet e tjera. Nuk duhet që tani të kërkojmë gjëra të paqena.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›