Bruksel, Berisha do ngrejë flamurin
Kryeministri Sali Berisha do të ngrejë sot flamurin shqiptar përkrah 26 flamurëve të vendeve anëtare të NATO-s. Kreu i qeverisë u nis dje për një vizitë dyditore në Bruksel, ku do të marrë pjesë së bashku me homologun e tij kroat, Ivo Sanader në kurorëzimin solemn në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. “Në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Sheffer, do të jenë të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë, të kryesuar nga Kryeministri Berisha dhe Kryeministri kroat, Sanader, në përbërjen e të cilëve do të jenë edhe ministrat e Punëve të Jashtëm respektivë dhe ambasadorët e të dy vendeve në NATO”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Banda ceremoniale e NATO-s do të luajë fillimisht himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe himnin e NATO-s. Këtë ceremoni do ta përshëndesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Sheffer dhe më pas do të mbajnë fjalët e tyre të rastit Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kroacisë, Sanader.