E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO: Topi mesazh falënderimi Obamës

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në të cilin e falënderon për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë dhe njëkohësisht e fton zyrtarisht për të vizituar vendin tonë. “Pjesëmarrja për herë të parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota më 3-4 prill 2009, në Samitin në Strasburg-Kel të Aleancës së Atlantikut të Veriut, dhe ceremonia e dorëzimit nga ana juaj e kopjes se Traktatit të Uashingtonit që shënoi krijimin e Aleancës, e pasuruar me Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë, më emocionoi e në të njëjtën kohë më bëri të ndihem krenar që ndodhesha përkrah mikut më të madh të Shqipërisë, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit që kaq shumë besoi në aspiratën historike të popullit shqiptar për t u integruar”, - shkruan Topi në mesazhin e tij drejtuar Obamës. Ai e falënderon më tej në emrin e tij, por dhe të gjithë popullit shqiptar për mbështetjen e dhënë. “Duke ju përsëritur edhe një herë ftesën time, në emër të gjithë popullit shqiptar, për të vizituar Shqipërinë, dëshiroj t ju siguroj, President Obama, se angazhimi i diplomacisë, i burimeve civile të Shqipërisë dhe i Forcave tona të Armatosura, përvoja e të cilave është shumë serioze, do të vihen në shërbim të përballjes së përbashkët, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë global, për të ndërtuar një botë më të mirë për kombet, civilizimet dhe të ardhmen e tyre”, - tha ai. Topi shkruan më tej se Shqipëria ndihet sot më e sigurt për të ardhmen e saj, sepse mbështetja e mikut dhe aleatit të saj më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është më afër se asnjëherë tjetër në historinë e popullit shqiptar.
Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›