E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy trafikantëve, sekuestrohen 600 gr heroinë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Aksionet kundër drogës në shkolla çojnë në shtatë numrin e të arrestuarve. Operacioni i koduar “Finishi” ka vënë dje në pranga edhe dy të dyshuar për trafik lëndësh narkotike. Burime zyrtare nga policia e Tiranës pohuan dje se 25-vjeçari Oltian Najtellari, banues në Ravonik të Korçës, dhe 22-vjeçari Matildo Mezini, banues në Vorë, u arrestuan pranë Rrugës së Dibrës në Tiranë, ku pas një kontrolli të imtësishëm, atyre iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si heroinë. Nën sekuestro është vënë një sasi prej 600 gramësh në kohën që do të kryhej shkëmbimi i drogës me paratë.
Arrestimi
Vetëm pak ditë më parë u arrestuan në flagrancë pesë persona, me tendencën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ditën e djeshme nga strukturat e Luftës Kundër Drogës u realizua një tjetër operacion, duke vendosur nën pranga dy të tjerë, të dyshuar si të implikuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Finish”, u realizua arrestimi në flagrancë i Oltian Najtellarit, 25 vjeç, banues në Ravonik, Korçë, dhe Matildo Mezinit, 22 vjeç, banues në Vorë, Tiranë. Gjithçka është realizuar në kuadër të dokumentimit ligjor, kryesisht ato grupe me tendencën e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave të mesme dhe 9-vjeçare. Policia e Tiranës, në vazhdimësi po grumbullon informacione në lidhje me persona të cilët kanë tendencën për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve të ndryshme narkotike.
Droga
Gjatë ushtrimit të kontrollit në banesën e të afërmëve të Oltian Najtellarit, u gjet një tjetër sasi lënde narkotike e dyshuar heroinë si dhe një pistoletë e tipit TT. Gjatë operacionit të realizuar me metodat speciale të hetimit, në total u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, dhe u vu nën sekuestro sasia prej 599.6 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, një pistoletë tip “TT”, me nr.AX 561-1952, dhe 13 fishekë dhe tre aparate telefoni celular. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›