E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni Francez sukses në skenën e TOB

Autori i Lajmit: red.

“Andrea Chanier”, kryevepra botërore e kompozitorit të njohur Umberto Xhordano ka arritur suksesshëm të mbushë sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Pas realizimit me sukses të baletit shqiptar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kjo skenë arriti të njëjtin sukses me premierë, operën “Andrea Chenier”, për të cilën ka mbërritur në vendin tonë dirigjenti i njohur italian Vito Klemente, që pas një pune intensive me solistët, korin dhe orkestrën, ngjiti me sukses në skenën operistike këtë kryevepër botërore. Artistë të mëdhenj të muzikës shqiptare lirike si Armando Kllogjeri, Eva Golemi, etj kanë interpretuar mrekullisht dramën dhe dashurinë që përcjell kjo vepër. Muzikanti nga Foxhia, Umberto Xhordano e kompozoi këtë opera, që zuri një hapësirë të pazëvendësueshme në historinë e melodramës, në një moment kyç e të lumtur të aktivitetit të tij artistik. I mrekulluar nga një histori franceze e shkruar nga Luixhi Illica, maestroja përfundon operën në fillimin e vitit 1896 dhe e vë me një sukses të madh në skenën “La Scala” të Milanos në 28 mars të njëjtit vit me protagonist Xhuzepe Borgati, tenor, një interpret i fuqishëm. Opera do të qëndrojë baza e suksesit të kompozitorit nga Foxhia dhe shpejt do të korrë sukses në gjithë botën. Subjekti i muzikuar nga Xhordano merr shtysë nga vitet e fundit të jetës së Andre Chenier, poet francez, vargjet e të cilit frymëzoheshin nga poezia klasike dhe ideali elenistik, që gjatë periudhës së terrorit, u gjotina, sepse denoncoi me guxim shfrenimet e Revolucionit, megjithëse ndante të njëjtat parime dhe ideale. Opera xhordane është një afresk i madh muzikor i një periudhe historike, asaj të Revolucionit Francez, tërheqës dhe i tmerrshëm, i mbushur me frymëzimin e lirisë dhe të barazisë, të cilin Napoleoni, i pari, dhe Kongresi i Vjenës, më pas, e zhdukën. Karakter sanguin, temperament i gjallë, por edhe stërhollime dhe plot rafinime muzikore, e thënë nga kritika më autoritare, e bëjnë “Andrea Chenier” themel të verizmit, i pëlqyer dhe i duartrokitur në mënyrë unanime nga publiku. Premiera e kësaj shfaqjeje do të jetë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit edhe në datat 8, 10 dhe 12 prill.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›