E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anëtarësimi në NATO brenda 2007

11/03/2005  Nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit për Shqipërinë me Bashkimin Evropian brenda 2005-s, është parë si prioritet në platformën elektorale, hartuar nga komisioni i ekonomisë dhe financave në Partinë Socialiste. Ministri i Financave, Arben Malaj, ka theksuar se "sigurimi i stabilitet makroekonomik, rritja e parametrave ekonomikë, liberalizimi i sistemit bankar, privatizimet dhe kreditimet do të shënojnë arritje të standardeve evropiane". Ndërkohë që arritja e standardeve ekonomike për ministrin e Financave do të synojë dhe një tjetër rezultat si integrim në strukturën e NATO-s brenda vitit 2007. Gjithashtu, në platformën elektorale të PS-së, një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet dhe rendit publik. Intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe rritja e sigurisë së qytetarëve, janë cilësuar si prioritete të politikave, që do të ndiqen nga PS-ja për katër vitet e ardhshme në rast të fitores së saj në zgjedhjet e përgjithshme. Në këtë kuadër, komisioni i ekonomisë pranë PS-së, ka hartuar dhe politika për respektimin e të drejtave të njeriut në vend, ku rëndësi i është kushtuar veçanërisht pakicave minoritare. Gjithashtu, nga PS-ja do të synohet përmirësimi i qeverisjes si faktor kyç për suksesin e reformave dhe zhvillimit të Shqipërisë, kjo duke tërhequr financime të huaja, si publike, ashtu dhe investime të huaja direkte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›