E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësimi në NATO dhe Pavarësia e Kosovës, Shqipëria ka patur një mik të madh si SHBA-të

16-01-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon kongresmenin amerikan Steve Chabot.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi dje gjatë takimit me kongresmenin amerikan Steve Chabot, mbështetjen e SHBA-ve ndaj Shqipërisë, që me njohjen e Pavarësisë, rrëzimin e diktaturës komuniste, anëtarësimin në NATO, Pavarësinë e Kosovës e të tjera data të rëndësishme të historisë sonë. “Shqipëria ka patur përkrah një vend të madh mik; Shtetet e Bashkuara. Duke falenderuar për këtë mbështetje të gjithanshme, Kryetarja e Kuvendit theksoi se në 100 vjet të Pavarësisë së Shqipërisë dhe në historinë shtet-formuese të kombit tonë duket qartë se Shqipëria nuk do të ishte këtu ku është pa përkrahjen e SHBA-ve. Kongresmeni Chabot tha se ndihet shumë mirë që viziton vendin e Nënë Terezës, Shqipërinë,  dhe takon personalitet e larta të vendit, sepse, siç tha ai marrëdhëniet njerëzore dhe prekja e realitetit nga afër janë shumë të rëndësishme. Z. Chabot falenderoi në mënyrë të veçantë Shqipërinë për misionet e saj paqeruajtëse në Afganistan, Irak e të tjera vende përkrah SHBA-ve. Kryetarja e Kuvendit tha se këto misione janë  një krenari për Shqipërinë sepse askush më mirë se shqiptarët nuk e di se çfarë është lira. Kongresmeni Chabot shprehu interes për rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri dhe Kryetarja e Kuvendit theksoi se, rritja e prezencës së biznesit amerikan është gjithashtu një interes i Shqipërisë në fusha si energji, dixhitalizim, bujqësi, turizëm etj. “Është kohë sfidash ekonomike globale, por Shqipëria nuk kaloi në recesion dhe situata ekonomike e Shqipërisë, modeli i saj ekonomik janë shumë të favorshme për thithjen dhe sigurinë e investimeve”, tha Kryetarja Jozefina Topalli. Duke u ndalur në situatën politike dhe veçanërisht në sistemin e drejtësisë, Kryetarja e Kuvendit cilësoi si shumë të rëndësishme votimin për Gjykatën administrative. Kongresmeni Chabot dhe Kryetarja e Kuvendit diskutuan për koordinimin e bashkëpunimit mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Kongresit amerikan në shkëmbimin e praktikave më të mira të legjislacionit dhe procedurave të hapura, transparente dhe demokratike të Shteteve të Bashkuara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›