E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis sot sesioni i ri parlamentar – kuvendi mblidhet në orën 17:00

16-01-2012 / Gazeta 55

Kuvendi do miratojë kalendarin për 3 ligjet me 3/5, priten debate mazhorancë – opozitë

Seanca e parë plenare e sesionit të ri do të mbahet sot në orën 17.00. Pritet që fillimi i punimeve të Kuvendit pas fjalës së kryetares Jozefina Topalli të përcillet me debate, për shkak se socialistët bllokuan konsensusin në Konferencën e krerëve të Grupeve Parlamentare. Sipas marrëveshjes së 14 nëntorit, në kalendar, me votat e mazhorancës, qëndruan kodi civil, kodi penal dhe Gjykata Administrative, tre ligje këto që kërkojnë dhe votat e opozitës për miratim (3/5 e anëtarëve të parlamentit). Sipas kalendarit që do t’i nënshtrohet votës së deputetëve në seancën e së sotme, Kodi Civil duhet të miratohet në fillim të shkurtit, Kodi Penal në fund të shkurtit dhe Gjykata Administrative në mars, atëherë kur bën plot tre vite e bllokuar në Kuvend për shkak të votave të socialistëve. Ndërkaq, një javë më parë mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, u shoqërua me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, sa i takon kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit. Opozita ka kërkuar mos përfshirjen në axhendën e punimeve të Parlamentit, të 3 ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, të mbetura nga sesioni i kaluar, kokretisht Kodit Civil, Penal dhe Gjykatës Administrative. Kërkesa të cilën Gramoz Ruçi paraqiti, në Konferencën e Kryetareve të grupeve parlamentare, ka shkaktuar jo pak debat, por megjithatë mazhoranca vetëm me votat e saj, vendosi t’i përfshijë në kalendarin 3 javor. Mungesa e konsensusit për vendimmarrjen e parë politike të 2012-s, është parë me shqetësim jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë. Shumica parlamentare akuzoi opozitën se po devijon nga marrëveshja e nëntorit të kaluar. “Zoti Ruçi kërkoi në konferencë heqjen nga kalendari të ligjeve me 3/5. Për ne përbën shqetësim sepse në bazë të marrëveshjes që është realizuar në 14 nëntor është kërkuar që këto kode të kalojnë. Sigurisht që nuk ka konsensus në seancë, por ata ishin kundër. Kërkuan heqjen nga kalendari të kodeve për të cilat është arritur një marrëveshje”- deklaroi javën e kaluar, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, nënkryetari i grupit të PD, Edi Paloka. Sipas kalendarit të punës së Kuvendit, në 2 shkurt, seanca plenare do të hedhë në votë Kodin Civil dhe Penal. Gjatë tre javëve të para të këtij sesioni është futur për shqyrtim dhe gjykata administrative, e cila qëndron në sirtarët e Kuvendit që prej 2009.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›