E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata/Brukseli: Shqipëria e zgjedh presidentin sipas Kushtetutës – s’ka nevojë për negocim të ndërkombëtarëve

16-01-2012 / Gazeta 55

Parlamenti Europian i kërkon politikës shqiptare që me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit të mos hapin një tjetër ngërç midis tyre, që do të përkeqësonte situatën. Thirrja vjen nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nicolaos Chountis. “Shqipëria ka mjaft probleme dhe një tjetër i kësaj natyre do të ishte i panevojshëm” - deklaron eurodeputeti Chountis, duke iu referuar rasteve të mëparshme dhe sidomos situatës së paqëndrueshme në vend. Ai bën të qartë se zgjedhja e presidentit është një çështje që i takon popullit shqiptar dhe nuk duhet të ndërhyjnë faktorë të jashtëm. “Përcaktimi se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit dhe si do të zgjidhet ai, është një çështje që i përket popullit shqiptar, forcave politike shqiptare dhe do të ishte më mirë që për këtë çështje të mos ndërhynin faktorë të jashtëm. Me pak fjalë, është një procedurë që duhet të ndërmerret në mënyrë transparente e demokratike  duke u bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Uroj të zgjidhet në mënyrën më të mirë, që të evitohet krijimi i një problemi tjetër politik, i cili mund të përkeqësonte situatën politike në vend”- u shpreh Chountis.
Nicolaos Chountis shpreh vlerësim për qëndrimin e moderuar të presidentit Topi dhe uron që edhe pasardhësi i tij të përmbushë rolin e tij sipas asaj që përcaktohet në Kushtetutë. “Nga vizita ime e fundit në Tiranë, unë dhe grupi im patëm rastin të takojmë Presidentin Topi dhe e vlerësojmë qëndrimin e moderuar të mbajtur prej tij. Uroj që dhe presidenti i ardhshëm të mund të përmbushë rolin e tij në baze të asaj që parashikon Kushtetuta dhe të ndihmojë në përmirësimin e situatës politike në vend, të garantojë të drejtat e qytetarëve dhe të kontribuojë për forcimin e bashkëpunimit, miqësisë dhe paqes me vendet fqinje” - theksoi ai. Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit nis në muajin korrik, por debatet se si duhet të jetë pasardhësi i Bamir Topit kanë filluar që tani. Opozita është shprehur për një president konsensual, ndërsa drejtuesit e mazhorancës kanë deklaruar se emri i presidentit të ri do të vijë nga radhët e demokratëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›