Anëtarësimi në NATO, një sfidë me kohën
Protokolli i anëtarësimit duhet të ratifikohet deri në dhjetor
Në pranverë mbahet samiti, ku synohet anëtarësimi
Shqipëria dhe Kroacia do të jenë hyrjet më të reja në Aleancën e Atlantikut të Veriut e krijuar që më 1949 si kundërpërgjigje ndaj zgjerimit të Rusisë komuniste në Evropë fill pas luftës. Ndërsa, anëtarësimi i këtyre vendeve ka marrë garancinë nga NATO-ja, por nuk ka akoma një kohë kur do të ndodhë kjo. Të gjitha shpresat e Tiranës dhe Dubrovnikut janë për një futje në NATO në pranverë të vitit 2009, një vit pas marrjes së ftesës për anëtarësim. Kjo gjë ka shumë gjasa të ndodhë dhe sa është parë nga deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer, kjo është dhe dëshira e NATO-s gjithashtu. Por, pavarësisht deklaratave pozitive dhe dëshirës së dy palëve për të bërë një anëtarësim zyrtar të dy vendeve ballkanike në fillim të vitit që vjen, kjo do të ndodhë vetëm nëse 26 vendet anëtare do të ratifikojnë në parlamentet e tyre protokollin e anëtarësimit të firmosur nga Shqipëria dhe Kroacia disa muaj pas marrjes së ftesës. Deri më tani, vetëm Hungaria e ka bërë një hap të tillë, ndërkohë që ka sinjale shumë pozitive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një ratifikim javën që vjen.
Siç bëjnë me dije për “standard” zyrtarë të shtetit, ratifikimi në të gjitha parlamentet është një sfidë e vështirë, sepse duhet bërë në një kohë të shkurtër. Zyrtarët në fjalë i referohen pikërisht mënyrës se si funksionojnë parlamentet, të cilët sesionin e dimrit e mbyllin në mes të dhjetorit për shkak të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe sesionin e pranverës e hapin diku nga shkurti ose marsi. Kjo do të thotë qartë se duke përjashtuar Hungarinë, Shqipërisë dhe koleges së saj në këtë sfidë, Kroacisë, i duhet të bëjë një lobing vërtet të madh dhe të shpejtë për të bindur këto vende që të fusin në krye të axhendës së këtij sesioni parlamentar protokollin e anëtarësimit të tyre në NATO. Për të përshpejtuar këtë proces kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, së bashku me homologun e saj kroat u dërguan një letër kolegëve të tyre të NATO-s ku u kërkonin të merrnin në prioritet këtë protokoll në axhendën e tyre të vjeshtës. Siç është shprehur dhe publikisht dhe nga premtimet që ka marrë prej homologëve, kryeparlamentarja ka shumë besim se ky ratifikim do të ndodhë brenda dhjetorit. Pavarësisht vullnetit politik të padiskutueshëm të këtyre vendeve për futjen e Shqipërisë në Aleancë, duket se kjo çështje ka të bëjë shumë dhe me burokracitë parlamentare që shoqërojnë përgjithësisht një proces të tillë. Shumë prej parlamenteve të këtyre vendeve janë të përbërë prej dy dhomave, duke bërë që protokollet të diskutohen dy herë, ndërkohë që diskutimi duhet të kalojë dhe nëpër komisionet parlamentare të posaçme. Pra, janë procedura që ashtu siç ndodh rëndom, zgjatin me disa javë. Prej dy javësh është në proces ratifikimi në Senatin e SHBA-së dhe ndërkohë pritet përfundimi i procesit javën që vjen. Këtë premtim i bënë para dy ditësh ministrit tonë të Jashtëm, Lulzim Basha, disa senatorë të dy krahëve politikë të këtij senati. Në pranverën e vitit që vjen, pritet që NATO-ja të zgjerohet për herë të shtatë që nga koha e krijimit, duke futur në gjirin e saj shumë vende ish-anëtare të Traktatit të Varshavës dhe duke e shtrirë zonën e ndikimit në zemër të Ballkanit.
Cilat janë 26 vendet anëtare
Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Detaj
2 prill 2008 ishte data e miratimit të ftesës për Shqipërinë dhe Kroacinë që të bëhen anëtarë të NATO-s.