Ndoka: PDK-ja do të rikthehet në qeveri
“Berisha të shprehet për qëndrimin ndaj PDK-së”
“Marrëveshja, PDK-ja sërish në qeveri”
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, shpreh bindjen e plotë se Kryeministri Berisha do të rikthejë në qeveri demokristianët. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë koalicioni qeverisës do të jetë më efikas dhe do të sheshojë problemet e brendshme. Gjatë një takimi dje me kryesinë e degës së Elbasanit, Ndoka i kërkoi PD-së dhe kryetarit të saj, z. Sali Berisha, që të shprehen publikisht për koalicionin me Partinë Demokristiane. “Ne, - tha Ndoka, - i kërkojmë Kryeministrit t’i kthehet politikës institucionale dhe të respektojë marrëveshjen e nënshkruar, duke i rikthyer demokristianët në qeverisje. Kjo është e vetmja rrugë për të garantuar fitoren e maxhorancës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Gjatë fjalës së tij z. Ndoka analizoi zhvillimet e fundit politike dhe raportet e vështira të demokristianëve me Partinë Demokratike, pas shkeljes sipas tij të njëanshme të marrëveshjes së nënshkruar midis këtyre dy partive. Ndoka shprehu shqetësimin e demokristianëve për mosfunksionimin e koalicionit qeverisës, sidomos gjatë muajve të fundit, kur duhej të ndodhte e kundërta. “Për fat të keq, Partia Demokratike pasi shkeli në mënyrë të njëanshme marrëveshjen me PDK-në për bashkëqeverisje, kjo parti vazhdon të ndjekë politika joinstitucionale, duke mbështetur individë që nuk përfaqësojnë forcat politike pjesëmarrëse në koalicion”, - tha Ndoka. Ai insistoi dhe një herë para demokristianëve elbasanas që Kryeministri Berisha të largojë nga postet e tyre zëvendësministrat Gurakuqi dhe Bushati, pasi ata nuk përfaqësojnë Partinë Demokristiane dhe institucionet e saj legjitime. Ndoka përsëriti gjithashtu kërkesën e PDK-së për mbledhjen e tryezës së partive të koalicionit qeverisës për reformat e rëndësishme, siç është reforma zgjedhore, reforma në drejtësi etj. “Përjashtimi i aleatëve nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja, ka dëmtuar standardin e reformave dhe ka krijuar një kosto të panevojshme për procesin e integrimit të vendit”, - tha Ndoka. Kreu demokristian akuzoi segmente të PD-së se po përpiqen të përçajnë partitë e djathta aleate. Ndoka theksoi se PDK-ja është e hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjithë faktorin politik, kur është fjala për reformat ë rëndësishme dhe për interesat kombëtarë, po ai përsëriti se aleatët e natyrshëm të PDK-së janë partitë politike të qendrës së djathtë. Në mbledhjen e djeshme të kryesisë së Degës së Elbasanit, shumë prej përfaqësuesve të kësaj dege theksuan me shqetësim faktin se demokristianët po persekutohen, po përzihen nga puna, dhe po përjashtohen pa asnjë motiv, duke na kujtuar luftën e klasave, që shqiptarët shpresuan se e kanë lënë pas, shumë vite më parë.