E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqyrtim kërkesës për largimin e Barkës

Kryeministri Sali Berisha bëri dje të ditur se pavarësisht vendimit të PBDNJ-së, ende nuk ka një kërkesë zyrtare në tavolinën e tij për largimin e ministrit Kosta Barka nga qeveria. Ai informoi se “sapo të marr ndonjë kërkesë nga PBDNJ-ja për largimin nga qeveria të ministrit Kosta Barka, do ta shqyrtoj atë”. Kreu i qeverisë vuri në dukje se ky është një koalicion që funksionon mbi bazën e marrëveshjeve ndërpartiake. Nga ana e tij, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, njëkohësisht edhe nënkryetar i PBDNJ-së, reagoi dje pasi u njoh nga mediat me deklaratat e fundit të sekretarit të përgjithshëm të PPDNJ-së, Leonard Solis, sipas të cilit kryesia e Partisë i ka kërkuar Kryeministrit Sali Berisha zëvëndësimin e tij.

"Si nënkryetar i partisë, nuk jam ftuar në ndonjë mbledhje formale forumesh që të informohem dhe të shprehem për këtë çështje", - citohet në deklaratën e tij për shtyp z. Barka. Kjo, sipas tij, nuk është një çështje personale dhe vendimet e forumeve të partisë nuk janë monopol i askujt. PBDNJ-ja është përfshirë tashmë në një debat të brendshëm mes drejtuesve të saj dhe përfaqësuesit të tyre në qeveri. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha se Berisha duhet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së tyre për zëvendësimin e Barkës, si ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale, pasi ata si parti politike nuk mund të shkarkojnë njeri, qoftë ky edhe Barka, përfaqësuesi i tyre në qeveri. “Nëse Berisha do ta mbajë Barkën si ministër, le ta mbajë, po jo si përfaqësues i PBDNJ-së”, - u shpreh dje Dule, duke sqaruar kështu dhe qëndrimin e PBDNJ-së, në rast se Berisha si Kryeministër, vendos të mos i përgjigjet pozitivisht kërkesës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›