E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, biznesi i vogël kundër rritjes së çmimit të dritave

 

KORÇE - Shoqata e biznesit të vogël në Korçë proteston kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke paralajmëruar rrezikun e falimentimit të këtyre aktiviteteve. Kryetari i kësaj shoqate, Albert Nasto, kërkoi dje të mos ketë rritje të çmimit të energjisë ashtu siç është paralajmëruar. Në një konferencë për shtyp ai u shpreh se nëse kjo do të ndodhë, dhjetëra e dhjetëra biznese të vogla do të shkojnë drejt falimentimit. “I bëjmë thirrje kryeministrit dhe qeverisë, por edhe opozitës, të ushtrojnë forcën e arsyes mbi Entin Rregullator të Energjisë elektrike, që në mënyrë kategorike kompania “ÇEZ” me ortak shtetin të mos rritin çmimin e energjisë. Janë 8 mijë biznese të vogla në qarkun e Korçës që aktivitetin e tyre e bazojnë në konsumin e energjisë. Rritja e çmimit do të rrisë koston e çdo malli. Rrezikojnë të falimentojnë shumë nga subjektet tona tregtare”, u shpreh Nasto. Sipas tij, rritja me 44 % e çmimit të energjisë do të jetë e papërballueshme për biznesin e vogël. “Në kushtet e rritjes së çmimit të energjisë, biznesi i vogël ose do të falimentojë duke lënë papunë mijëra e mijëra qytetarë, ose ne si tregtarë do të detyrohemi të rrisim çmimet e artikujve”, u shpreh më tej në deklaratën e tij kreu i shoqatës së biznesit të vogël për Qarkun e Korçës. Nasto i bëri thirrje biznesit të vogël jo vetëm në rajonin e Korçës, por edhe më gjerë, madje edhe biznesit të madh në shkallë vendi të solidarizohet me kërkesat e shoqatës që ai drejton.    g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›