E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anëtarët e KOP anëtarësohen në PD

02/03/2005  Disa prej pjesëtarëve të Komitetit të Orientimit të Politikave tashmë e kanë marrë teserën e Partisë Demokratike, duke u bërë kështu anëtarë të saj. Koordinatori i kësaj strukture në PD, Lulzim Basha, tha dje se një pjesë e stafit të KOP, tashmë janë anëtarë të PD-së, por ka dhe të tjerë, që kanë bërë kërkesën për pranim në parti. "Besoj se, përveç meje, ka dhe anëtarë të tjerë të Komitetit të Orientimit të Politikave që kanë marrë teserën e Partisë Demokratike, ose që kanë bërë kërkesën për t'u anëtarësuar në PD", tha Basha. KOP është strukturë që u prezantua nga lideri i PD-së, Berisha, në ditët e para të janarit 2005, dhe ka si detyrë kryesore përgatitjen e platformës elektorale të PD-së për zgjedhjet e këtij viti. Personat pjesëmarrës në këtë komitet janë specialistë të fushave të ndryshme, të ardhur kryesisht nga shoqëria civile. Ideja e ngritjes së një strukture me bazë shoqërinë civile është hedhur nga kreu i PD-së që përpara një viti, por strukturimi i tij mori formë vetëm dy muaj më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›