Moisiu takon Vacek për ndarjen zonale
02/03/2005 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka diskutuar dje paradite me kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Pavel Vacek, lidhur me ndarjen e zonave elektorale. Kreu i OSBE-së, Vacek, i ka dorëzuar Presidentit marrëveshjen e arritur dhe projektin për ndarjen e re të zonave elektorale. Vacek e ka njohur Presidentin me të gjitha aspektet e punës së prezencës së OSBE-së dhe ekspertëve të saj për të hartuar draftin për ndarjen elektorale të vendit. Nga ana e tij, Moisiu ka bërë një vlerësim të punës së OSBE-së, duke theksuar se, "megjithëse të vonuar në kohë, marrëveshjen e arritur e cilësoj një arritje pozitive". Gjatë takimit, Moisiu dhe Vacek kanë diskutuar dhe për aspekte të tjera të ecurisë së reformave në vendin tonë. Në bisedime, një vend të rëndësishëm ka zënë ecuria për reformën zgjedhore dhe të procesit elektoral në vend. Ndihmesa që ka dhënë Prezenca e OSBE-së në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes dy forcave kryesore të politikës për çështje të rëndësishme të reformës zgjedhore ka arritur të finalizohet vetëm dy ditë më parë. Pas disa muaj debate, tashmë në institucionin e parlamentit do të miratohet drafti për ndarjen e zonave elektorale për të kompletuar kështu reformën elektorale në vend. Drafti ka kaluar në Kuvend dhe po shqyrtohet nga komisionet përkatëse. Ndërkohë, nesër do të shkojë në seancë plenare për të marrë miratimin nga deputetët. Një debat tjetër, i cili ka më tepër ngjyrime teknike, ngelet përcaktimi i datës së zgjedhjeve, nga ku Presidenti i Republikës duket se do të jetë në sinkron me vullnetin e Kuvendit. Kjo pas një konsultimi me të gjitha forcat politike në vend, Moisiu do të deklarojë dhe datën se kur do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme për këtë vit në Shqipëri.