E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD shpalli aleancat në turin në Shqipëri

02/03/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të jetë në Berat, ditën e diel, për të vazhduar dhe atje turin elektoral "Ditët e Shpresës". Deri tani lideri demokrat ka vizituar shumicën e qyteteve kryesore të Shqipërisë, ku ka shpalosur dhe një pjesë të programit elektoral të Partisë Demokratike. Gjatë takimeve me elektoratin, Berisha një rëndësi jo të vogël i ka kushtuar aleancave para dhe paszgjedhore me partitë e spektrit politik të djathtë shqiptar. Lidhur me këtë çështje, deklarata më e spikatur e Berishës ka ardhur nga takimi me simpatizantët e Gjirokastrës, ku ai deklaroi se do të ishte i gatshëm të përfshinte në qeverinë paszgjedhore, edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules, megjithëse kjo parti gjatë tetë vjetëve të fundit ka qenë në koalicionin kundërshtar me PD-në. Berisha tha se për çdo qeveri është e domosdoshme që në përbërje të saj të ketë përfaqësues, që mbrojnë interesat e minoriteteve. Turi paraelektoral i ndërmarrë nga kreu demokrat pritet të përfundojë më 22 mars, në sheshin "Skënderbej", ku do të mbahet dhe një miting madhështor, në përkujtim dhe të 13-vjetorit të fitores së PD-së në zgjedhjet e vitit 1992.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›