Meta: “Mashtrimi i Berishës me kartat e identitetit po rrezikon zgjedhjet”
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare rrezikojnë të dështojnë, si rezultat i vonesave dhe i mashtrimeve të qeverisë për të realizuar procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Meta tha se ndryshe nga sa premtoi kryeministri Berisha, edhe pse kanë kaluar dy javë nga nisja e procesit të aplikimit për kartat e identitetit, deri sot asnjë shtetas nuk rezulton të jetë i pajisur me një dokument të tillë. “Kartat e identitetit janë një element thelbësor për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme të qershorit, tashmë të përcaktuara nga partnerët tanë ndërkombëtare si përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të integrimit të vendit. Kjo rëndësi e jashtëzakonshme e zgjedhjeve dhe standardeve që ato duhet të përmbushin nuk është përcjellë me përgjegjshmëri nga qeveria aktuale, e cila ka filluar me tepër vonesë dhe me shumë probleme serioze procesin e aplikimit të qytetarëve për këto karta. Sot konstatojmë me shqetësim që në realizimin e këtij procesi Berisha dhe qeveria e tij po tregojnë qartë paaftësinë e tyre, paaftësi që po përpiqen ta mbulojnë me demagogji dhe premtime mashtruese. Megjithë premtimin e bujshëm që dy javë pas fillimit të aplikimit qytetarët do të fillonin të merrnin kartat e identitetit, megjithë demonstrimin aktoresk të Berishës të prodhimit të kartës së parë të identitetit, sot e kësaj dite asgjë nuk ka ndodhur, asnjë qytetar nuk ka marrë ndonjë kartë identiteti”, - tha Meta. Kreu i LSI-së akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se mashtruan për çështjen e kartave të identitetit, ashtu siç bënë edhe me çështjen e legalizimit.
“Është i njëjti mashtrim, është e njëjta mënyrë si Sali Berisha komprometoi procesin aq të rëndësishëm dhe jetik për mijëra qytetarë, siç ishte ai i legalizimit. kur ai në vitin 2007, në prag të zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit, dha tapinë e parë dhe të vetme të legalizimit. Berisha tashmë po kërcënon në mënyrë të rrezikshme standardet e zgjedhjeve, duke i komprometuar ato me mosprodhimin e kartave të identitetit. Kryeministri Berisha duhet të lërë demagogjitë, të marrë masa urgjente për fillimin e shpërndarjes së kartave të identitetit, pasi kështu po rëndon më tej veten me përgjegjësinë e prishjes së standardeve të zgjedhjeve të ardhshme dhe perspektivën e integrimit të vendit”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
6 Shkurt 2009