E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi. Votuesve të majtë pa pasaportë po u mohohen kartat e identitetit

Në listat e Ministrisë së Brendshme për pajisjen me karta mungojnë personat që njihen si votues të majtë. Skema është denoncuar nga PDS-ja në Burrel, por është përhapur edhe në qytete të tjera

Shaban Sulçe

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndodhen përpara një rreziku serioz, që synon degradimin dhe manipulimin e tyre. Ky rrezik lidhet me çështjen e shpërndarjes së kartave të identitetit, për të cilat qeveria dhe Ministria e Brendshme kanë planifikuar një shpërndarje në mënyrë selektive. Shumë prej votuesve, të cilët nuk kanë aktualisht pasaporta në përdorim, nuk janë përfshirë në listat prioritare për pajisjen me karta identiteti. Interesant është fakti se jashtë këtyre listave janë lënë votues, të cilët njihen si mbështetës të së majtës dhe votues tradicionalë të saj. Skema manipulative është denoncuar nga Partia Demokracia Sociale, e cila i është referuar rasteve të tilla që kanë ndodhur në qytetin e Burrelit. Por një gjë e tillë duket se po ndodh në të gjitha qytetet e Shqipërisë, por edhe në shumë komuna të ndryshme të vendit.

Skema
Para disa javësh, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bëri disa propozime qeverisë, të cilat sipas tij do të ndikonin pozitivisht në përmirësimin e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Midis këtyre propozimeve ishte edhe ai i pajisjes sa më parë me karta identiteti të shtetasve që nuk kishin pasaporta në përdorim. Sipas këtij propozimi, Ministria e Brendshme duhet të hartonte listat e këtyre personave, lista të cilat më pas do të afishoheshin nga organet e pushtetit vendor. Pas insistimit të opozitës, ky propozim u mirëprit nga qeveria, e cila e miratoi. Tashmë prej disa ditësh janë hartuar dhe janë shpërndarë listat e personave që nuk kanë pasaportë në të gjitha bashkitë e vendit. Ata do të favorizohen për të marrë në një kohë rekord kartat e identitetit. Por interesant është fakti se në këto lista gjenden me shumicë persona, të cilët njihen si votues të djathtë, ndërkohë që nga ana tjetër në to mungojnë emrat e personave, që njihen si votues tradicionalë të së majtës. Rasti abuziv është denoncuar në qytetin e Burrelit nga Partia Demokracia Sociale, por duket se një fenomen i tillë është përhapur në të gjitha qytetet dhe komunat kryesore të vendit. Kjo do të thotë se ndershmëria e zgjedhjeve është vënë seriozisht në pikëpyetje. Kjo sepse shumë prej votuesve të majtë, që nuk kanë pasaporta, nuk do të kenë mundësinë që të pajisjen me karta identiteti dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Denoncimi

Sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkallari, ka denoncuar dje tentativën e qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve me anë të selektimit të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. “Ne kemi konstatuar raste të abuzimeve së fundmi edhe në Rrethin e Burrelit, ku po tentohet që shumë votues që rezultojnë të papajisur me pasaporta, të cilët mendohet të votojnë për forcat e majta, nuk janë përfshirë në listat prioritare për pajisjen me karta identiteti. Pas kërkesës insistuese të opozitës, qeveria ra dakord të shpërndajë letërnjoftimet e reja, duke u dhënë përparësi atyre shtetasve që nuk zotërojnë një pasaportë për udhëtim jashtë shtetit”, - tha Duçkallari. Më tej, ai konfirmoi se një fenomen i tillë është hasur edhe në kryeqytet dhe në shumë rrethe të vendit. “PDS ka vërejtur se në Tiranë, por edhe në shumë rrethe, nga verifikimet ka dalë se në listat e afishuara ka shumë shtetas që s’jetojnë më apo dhe shumë zgjedhës që janë të pajisur me pasaporta, ndërkohë që shumë të tjerë, që mendohet se votojnë për partitë e opozitës dhe që s’janë të pajisur me pasaporta, nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e dërguar nga Ministria e Brendshme, në njësitë e pushtetit vendor. Me një kujdes të veçantë, njerëzit e Berishës po bëjnë gjithçka që këta shtetas të mos kenë mundësi t’u drejtohen kutive të votimit më 28 qershor. Në të njëjtën kohë, bashkitë dhe komunat e qeverisura nga Partia Demokratike po “bëjnë kujdes” që qytetarët e damkosur si votues të së majtës të mos gjejnë emrat në lista dhe të mos kenë mundësinë e aplikimit apo pajisjes me kartë identiteti, një dokument i rëndësishëm për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha Duçkallari. Ai denoncoi gjithashtu edhe rrjetin korruptivo-mashtrues të udhëhequr nga Partia Demokratike për blerjen e kuponave për kartat e identitetit, të cilave do t’u jepen falas njerëzve që mendohet se do të votojnë për PD-në në zgjedhjet e ardhshme.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›